Bota

U gjetën të vdekur në Gaza, varrosen në Izrael dy pengje të Hamasit

Dy pengjet ishin rrëmbyer dhe dërguar në Rripin e Gazës pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

1 Shtator 2025, 22:23 Nga r.ll
U gjetën të vdekur në Gaza, varrosen në Izrael dy pengje
foto ilustruese

IZRAEL- Dy pengje të gjetura të vdekur në Gaza u varrosën sot në Izrael, trupat e të cilëve u identifikuan dhe u riatdhesuan.  Ushtria izraelite njoftoi të premten se kishte rikuperuar trupat e dy pengjeve që u rrëmbyen dhe u çuan në Rripin e Gazës pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Ata janë Ilan Weiss, 55 vjeç, dhe Idan Stevie, 28 vjeç. Idan Stevie, një student që punoi vullnetarisht si fotograf në festivalin muzikor Nova ku sulmuan militantët e Hamasit, u varros në komunitetin e Kfar Maas, në Izraelin qendror.

"Ju kërkoj të më falni që nuk munda t'ju mbroja", tha nëna e tij, Dalit, para arkivolit të mbështjellë me një flamur izraelit. Për gati një vit, familja e tij shpresonte se ai ishte gjallë, përpara se të informohej nga autoritetet izraelite se ai kishte vdekur.

Studenti ishte përpjekur të largohej nga vendi i sulmit me dy burra të plagosur, por humbi kontrollin e automjetit të tij, i cili u përplas me një pemë. Automjeti u gjet më vonë i mbushur me plumba. 

Ilan Weiss u varros në Kibbutz Beeri (jug), të cilin ai ishte përpjekur ta mbronte gjatë sulmit më 7 tetor 2023. Gruaja e tij Siri dhe vajza e tyre Noga u rrëmbyen gjithashtu nga Hamasi, por u liruan gjatë armëpushimit të parë të arritur në nëntor 2023. 

Nga 251 personat e rrëmbyer më 7 tetor 2023, 47 mbeten në Rripin e Gazës, por 25 prej tyre janë shpallur të vdekur nga ushtria izraelite.

Sulmi i paprecedentë i Hamasit ka vrarë 1,219 persona, kryesisht civilë, bazuar në të dhëna zyrtare. Që atëherë, të paktën 63,557 persona janë vrarë për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në enklavën palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës të kontrolluar nga Hamasi.

lufta izrael-hamas

Sondazh

Poll