Bota

Kallas në Kopenhagë: Putini tallet me çdo përpjekje për paqe në Ukrainë

Në Këshillin e sotëm Evropian, ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu për Lindjen e Mesme, ku sipas Kallas nuk ka përmirësime.

29 Gusht 2025, 10:16 Nga V.Ç
Kallas në Kopenhagë: Putini tallet me çdo përpjekje
Kaja Kallas

KOPENHAGEN - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, gjatë mbërritjes në Këshillin Evropian të Ministrave të Mbrojtjes, që po mbahet në Kopenhagen, kryeqyteti i Danimarkës, vendi që mban presidencën e radhës së BE-së për këtë gjashtëmujor, deklaroi se çështja kryesore në axhendë është lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

“Sulmet tregojnë se Putini thjesht tallet me çdo përpjekje që bëhet për paqe. Ajo që duhet të bëjmë është të rrisim presionin ndaj Rusisë, sepse kjo është ajo që ai kupton,” theksoi ajo.

Ajo sqaroi më tej se "çështja e dytë që do të diskutojmë sot është gatishmëria mbrojtëse. Është e qartë se kemi fusha të ndryshme aftësish ku duhet të bëjmë më shumë, dhe pres që shtetet anëtare të marrin rol udhëheqës në këto fusha. Duhet të jemi shumë konkretë dhe të ecim përpara me projekte specifike.”

E pyetur për garancitë e sigurisë, ajo deklaroi: “Në nivel të BE-së, kontributi ynë në garancitë e sigurisë përfshin misionin stërvitor, misionin ushtarak dhe mbështetjen për industrinë mbrojtëse të Ukrainës. Të tria këto veprime mund të përfshijnë edhe vende neutrale. Sot po diskutojmë edhe për ndryshimin e mandatit të këtyre misioneve, që të jenë të gatshme pas një marrëveshjeje paqeje. Çdo shtet anëtar vendos vetë se si do të kontribuojë.”

Përfaqësuesja e Lartë foli gjithashtu për format e presionit ndaj Rusisë, duke thënë: “Po përgatisim paketën e radhës së sanksioneve. Ka shumë opsione – sanksione në sektorin e energjisë, sanksione sekondare si ato të SHBA-së, dhe kufizime në shërbimet financiare që i pengojnë Rusisë aksesin në fonde. Diskutimet vazhdojnë. Të gjithë e kuptojnë se, me Putinin që tallet me përpjekjet për paqe, vetëm presioni jep rezultat.”

Në Këshillin e sotëm Evropian, ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu për Lindjen e Mesme, ku sipas Kallas nuk ka përmirësime. Duke u ndalur te Irani, ajo deklaroi: “Shqetësimet tona për Iranin janë të qarta për programin e tij bërthamor, raketat balistike dhe mbështetjen që i jep Rusisë.”

kaja kallas vladimir putin kopenhagen

Sondazh

Poll