Aktualitet

Arrestimi i Ardian Halilit/ U kap duke kryer punime në resortin luksoz që ndërtoi pa leje kur ishte kryeinspektor i IMT, rasti referohet në SPAK

Lidhur me rastin në SPAK janë referuar materialet për veprat penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës".

28 Gusht 2025, 10:01 Nga r.ll
Arrestimi i Ardian Halilit/ U kap duke kryer punime në resortin luksoz
ardian halili

DURRËS - Policia e Durrësit ka dalë sot në një konferencë për mediat ditën e sotme ku ka ndarë detaje lidhur me arrestimin e ish-kryeinspektorit të IMT Durrës. Ardian Halili është arrestuar nga policia në flagrancë duke kryer punime ndërtimi pa leje në resortin e tij “Saint Michele Rezidence”.

Sipas policisë, ky resort i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.

Gjithashtu bëhet me dije se nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim. Lidhur me rastin në SPAK janë referuar materialet për veprat penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës".

PJESË NGA DEKLARATA E POLICISË:

Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H.

Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Saint Michele Rezidencë”.

Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës".
Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.

Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.

Në këtë frymë të zbatimit të ligjit, është duke vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike. Koordinimi i veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, IMT-së dhe IKMT-së po jep rezultate çdo ditë në këtë drejtim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në telegramin e dërguar për strukturat e Policisë në qarqe, ka kërkuar intensifikimin e veprimeve të strukturave të Policisë për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe dërgimin para ligjit të të gjithë atyre që tentojnë të kryejnë ndërtime pa leje, të zaptojnë hapësira publike, atyre që shkaktojnë zjarrvënie, ndotje akustike apo që bllokojnë qarkullimin e automjeteve të emergjencës.

Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët e qarkut Durrës të denoncojnë pranë strukturave të Policisë çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet, çdo neglizhencë apo shpërdorim të detyrës nga punonjës policie apo të kujtdo institucioni shtetëror që ka për detyrë të ofrojë shërbim qytetarëve dhe të zbatojë ligjin, duke i garantuar se reagimi i strukturave të Policisë do jetë i menjëhershëm, konform ligjit, ndaj çdo shqetësimi që do adresohet nga ata.

ardian halili imt durres “saint michele rezidence” policia e durresit

Sondazh

Poll