Sport

Sami Khedira apel që Neuer të rikthehet në kombëtare: 'Është portieri më i mirë gjerman'

Numri një i Bayernit, Manuel Neuer, ka lënë të kuptohet se rikthimi i tij në kombëtare nuk është utopi. Sot, për mediat gjermane, këtë skenar e ka mbështetur edhe Sami Khedira.

18 Gusht 2025, 19:01 Nga DOSJA

Sami Khedira apel që Neuer të rikthehet në kombëtare:

GJERMANI - Kampioni i Botës, ish-mesfushori Sami Khedira ka bërë një hap përpara dhe ka dhënë mendimin e tij mbi një argument, i cili në ditët e fundit ka hapur mjaft debat mes opinionit publik në Gjermani.

Pak muaj nga starti i Kupës së Botës, kombëtarja gjermane e futbollit ka një dilemë të madhe sa i përket portës. Ter Stegen është dëmtuar dhe rikthehet në fushë pas katër muajsh ndërsa në Barcelonë nuk ka më vendin e titullarit të sigurt. Ndërsa Manuel Neuer u largua me vullnetin e tij nga kombëtarja pas “Euro 2024”-ës.

Në këtë situatë Federata Gjermane e Futbollit është në pozitë të vështirë, pasi numri një i Bayernit ka lënë të kuptohet se rikthimi i tij në kombëtaren katër herë kampione të botës nuk është utopi. Sot, me deklaratat e veta për mediet gjermane, këtë skenar e ka mbështetur edhe Sami Khedira.

“Nëse bazohemi vetëm nga të dhënat e fushës, Manu është portieri më i mirë gjermanë në qarkullim. Ai është rikthyer në formën e tij më të mirë pas dëmtimit që pësoi pak vite më pare, pasi ka qenë autor i disa pritjeve spektakolare si në Botërorin e Klubeve edhe në Superkupën e Gjermanisë.

Ai vendosi të tërhiqej nga Kombëtarja me vullnetin e tij. Tani për tani ajo që ka më shumë rëndësi është që të gëzojë shëndet të mirë. Ai ka aftësinë, mentalitetin dhe dëshirën për të fituar. Për mua ai është me diferencë të madhe nga të tjerët, portieri më i mirë gjerman”, tha Khedira.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll