Sport

Qendra e re e sistemit VAR, nis nga “puna” në Shtëpinë e Futbollit…

Sektori i Arbitrimit zhvillon një trajnim për zyrtarët e Abissnet Superiores & Kategorisë së Parë

13 Gusht 2025, 15:30 Nga DOSJA

Qendra e re e sistemit VAR, nis nga “puna” në

TIRANE - Sektori i Arbitrimit, në prag të fillimit të sezonit futbollistik 2025/26, ka zhvilluar një trajnim tre-ditor për zyrtarët e Abissnet Superiores dhe Kategorisë së Parë, i fokusuar në përdorimin e sistemit VAR.

Për herë të parë, ky trajnim po zhvillohet në qendrën e re të sistemit VAR pranë Shtëpisë së Futbollit, investimi më i fundit i FSHF-së në shërbim të arbitrimit dhe futbollit shqiptar.

Të gjithë arbitrat dhe asistentët e Abissnet Superiores dhe Kategorisë së Parë u njohën me teknologjinë më të re EVS, e cila është implementuar në këtë qendër, ndërsa më pas vijuan sesionet praktike, të fokusuara në marrjen e vendimeve në situata të ndryshme të lojës.

Në një prononcim të shkurtër për fshf.org, arbitri kryesor i Kategorisë së Parë, Gerard Çokaj, vlerësoi trajnimin tre-ditor në Shtëpinë e Futbollit dhe e cilësoi një investim shumë të rëndësishëm për futbollin shqiptar qendrën e re të sistemit VAR.

“Sot është dita e tretë e trajnimit që po zhvillojmë në qendrën e FSHF-së. Trajnimi ka shkuar shumë mirë në këto tre ditë, si nga ana teorike ashtu edhe praktike. Kemi pasur fatin që të punojmë me instruktorë shumë të kualifikuar nga ana e VAR. Qendra e re pranë FSHF i vjen shumë në ndihmë futbollit shqiptar.

Ana teknike është më e mirë, si për arbitrat që jemi në VAR, ashtu edhe për ata në fushë. Teknologjia e re e bashkangjit federatën me të gjitha federatat europiane, ku në çdo kampionat të madh po implementohet sistemi VAR pranë federatës. Është një investim shumë i mirë dhe i dobishëm që ka bërë FSHF”,- tha Gerard Çokaj.

Trajnimi ka si qëllim rritjen e standardeve të arbitrimit dhe aplikimin sa më efikas të teknologjisë VAR në kampionatet kombëtare.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll