Aktualitet

Akuzohen se ndihmonin Flodian Plakun gjatë kohës që ishte në kërkim, Gjykata e Vlorës zhvillon seancën për masat e sigurisë ndaj 4 personave

Albano Lapshi mësohet se i çonte ushqimin Flodian Plakut, në hotelin ku ishte strehuar, ndërsa Ligor Doko është pronari i hotelit ku qëndronte Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”.

7 Gusht 2025, 10:32 Nga r.ll
Akuzohen se ndihmonin Flodian Plakun gjatë kohës që ishte në
flodian plaku

VLORË- Gjykata e Vlorës do të zhvillojë sot seancën për masën e sigurisë ndaj 4 personave u arrestuan së bashku me Flodian Plakun. Ky i fundit ishte në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas. Albano Lapshi, Armand Dano dhe Ligor Doko, të cilët akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, ndihmonin ekzekutorin e dyshuar të Gentjan Bejtjas, gjatë kohës që ishte në kërkim nga policia.

Albano Lapshi mësohet se i çonte ushqimin Flodian Plakut, në hotelin ku ishte strehuar, ndërsa Ligor Doko është pronari i hotelit ku qëndronte Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”. Ndërsa Armand Dano nga Shkodra, ishte berberi i Flodian Plakut, të cilin besohet se e qethte gjatë kohës që ishte në kërkim. Personi i katërt Julian Aliaj u kap bashkë me Pole Qorrin dhe në momentin e arrestimit ishte i armatosur me pistoletë. Aliaj ka qenë më parë i dënuar për trafik droge.

Kush është Flodian Plaku

Flodian Plaku dyshohet si një nga tre atentatorët e vrasjes së Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në fshatin Larushkë të Krujës. Plaku është pjesë e grupeve të Vlorës. Plaku dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë. 42-vjeçari nga Vlora, mban edhe dy mbiemra të tjerë, Flodian Mamo dhe Flodian Serjani, por që njihej edhe me pseudonimin “Pole Qorri”.

Nga hetimet e Policisë ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë. Pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.

Po sipas hetimeve, policia tha se është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volksëagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.

Vrasja e Gentjan Bejtjas

Gentian Bejtja u ekzekutua me 15 mars në banesën e tij. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Dy të dyshuarit për vrasjen e tij janë Edison Haxhia dhe Ilir Beqaraj.

flodian plaku gjykata e vlores albano lapsi ligor doko armand dano julian aliaj

Sondazh

Poll