Aktualitet

Çështja "Bankers"/ Apeli lë në burg ish-drejtorin Leonidha Çobo dhe CEO-n, Hongping Xiao

Bëhet me dije se gjyqtarët kanë zbutur vendimin vetëm për Doina Gogën duke caktuar “detyrim paraqitje” për shkak të rrethanave familjare, pasi raportohet se është nënë e një femije 2-vjeç.

6 Gusht 2025, 10:19 Nga M.B
Çështja "Bankers"/ Apeli lë në burg
Foto ilustruese

TIRANA- Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-administratorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual Hongping Xiao. Bëhet me dije se gjyqtarët kanë zbutur vendimin vetëm për Doina Gogën duke caktuar “detyrim paraqitje” për shkak të rrethanave familjare, pasi raportohet se është nënë e një femije 2-vjeç.

Gjithashtu mësohet se për 3 persona, Majlinda Thana, Matilda Ibraliu dhe Erton Ademaj u hoq masa ndalim i daljes jashtë vendit duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Ndërkohë nën masën "arrest në shtëpi" u lanë: Lianyi Wang, Ardit Kero, Flavia Capo dhe Kledi Xhani.

Seanca e apelit që u zhvillua dje zgjati për më shumë se 6 orë me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes dhe kërkesës së palëve për ruajtje të konfidencialitetit.

Prokuroria kishte kërkuar "arrest me burg" për 10 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e "Bankers Petroleum". Ish-drejtori Leonidha Çobo e drejtori aktual i kompanisë Hongping Xiao së bashku me zyrtarë të tjerë të kësaj kompanie, akuzohen për evazion fiskal dhe pastrim parash. 

Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa 4 persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.

Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%. Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.

bankers petroleum

Sondazh

Poll