Sport

Douglas Luiz i thotë “Jo” Mou-t, tani Juvja shpreson te ‘derbi’ anglez…

Pasi e refuzoi ofertën e Fenerbahçes së Mourinhos, mesfushori po shkon drejt një rikthimi në Premier League.

2 Gusht 2025, 15:00 Nga DOSJA

Douglas Luiz i thotë “Jo” Mou-t, tani Juvja shpreson te

ITALI - Vetëm një vit më parë, ai dukej si lojtari kyç te Juventusi i ri i Thiago Mottas. Tani, pas një sezoni për t’u harruar, Douglas Luiz nuk është paraqitur në kampin stërvitor të bardhezinjve dhe ka refuzuar një ofertë nga Fenerbahçe në Turqi.

Kjo i ka komplikuar planet e Comollit, ndërsa ai kërkon të përfitojë nga largimi i mesfushorit brazilian. 50 milionë eurot e paguara te Aston Villa verën e kaluar ende peshojnë rëndë mbi financat e bardhezinjve dhe mundësia e kthimit të Douglas në Angli është opsioni më i mundshëm.

Nottingham, në veçanti, dhe Everton, kanë ndërmarrë hapa për ta rikthyer atë në Premier League. Natyrisht, problemi është çmimi i tij. Juventusi e di që nuk mund ta shesë atë për çmimin që pagoi një vit më parë, por as nuk duan të humbasin shumë. Ideja është të marrin të paktën 40 milionë euro.

Deri më tani, interesi i vetëm i vërtetë ka qenë nga Forest, të cilët, midis një huazimi dhe një blerjeje, kanë ofruar pak më shumë se 30 milionë euro. Braziliani ka lënë kujtime të mira në Premier League dhe trajneri i Nottinghamit, Nuno Espirito Santo, ka një respekt të lartë për të.

Drejtori sportiv i klubit anglez, Edu Gaspar, ka arritur tashmë një marrëveshje bazë me ekipin e lojtarit, për një tarifë prej rreth 5 milionë eurosh në sezon plus bonuse deri në vitin 2030.

Përshtypja është se nëse klubi anglez vendos të rrisë ofertën e tyre, edhe nëse nuk arrin 40 milionë eurot e kërkuara nga Juventusi, marrëveshja mund të arrijë në një përfundim pozitiv. 

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll