Sport

VIDEO/ Dinamo fiton në Andorra, në ndeshjen e parë në Europë pas 15 vitesh!

Ndërkohë në orën 20:45 në një fushë asnjëanëse në Hungari kampionët e Shqipërisë së Egnatias do të përballen me skuadrën bjellruse të Dinamos së Minskut.

24 Korrik 2025, 17:55 Nga DOSJA
VIDEO/ Dinamo fiton në Andorra, në ndeshjen e parë në

ANDORRA - Dinamo arrin të fitojë ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të Conference League përballë Atletic Escaldes në Andorra. Në debutimin e tyre në Europë pas 15 vitesh mungesë, blutë e kryeqytetit e nisin me këmbën e mbarë duke marrë një fitore të merituar në transfertë.

Pjesa e parë i shërbeu për të studiuar kundërshtarin djemve të Ilir Dajës, ndërkohë që vendasit zhbllokojnë ndeshjen pa u mbyllur 45 minutat. Kapiteni Vieira në minutën e 43-të arrin të shënojë pas një goditje këndi i harruar i vetëm në shtyllën e dytë dhe me këtë rezultat 1-0 u mbyll fraksioni i parë.

Në të dytën Dinamo shton intensitetin e sulmeve por vendasit janë me fat, herë nga gabimet e lojtarëve shqiptarë dhe herë nga fati i shtyllave. Gjithsesi në minutën e 64-t, nën presionin e skuadrës së Dajës, portieri vendas gabon dhe Zabërgja përfiton duke i marrë topin dhe rikthyer barazpeshën.

Të bindur se meritonin më tepër se sa barazimi Dinamo vazhdon sulmet e njëpasnjëshme, duke gjetur rrugën e golit të dytë dhe të fitores pak përpara mbylljes së ndeshjes. Qardaku (86') përfiton nga një top që parkalon zonën dhe shtyn topin në rrjetë lehtësisht për t'i dhënë këtë fitore kaq të rëndësishme Dinamos që do t'i duhet ta zyrtarizojë kualifikimin pas një jave në “Elbasan Arena”.

Ndërkohë në orën 20:45 në një fushë asnjëanëse në Hungari kampionët e Shqipërisë së Egnatias do të përballen me skuadrën bjelloruse të Dinamos së Minskut. Ndeshja e parë për rrogozhinasit pas eliminimit nga Champions League. Ndërsa në “Loro Boriçi” të Shkodrës (20:30), Vllaznia do të presë Vikingurin e Rejkjavikut për ndeshjen e parë eliminatore të raundit të dytë të Conference Leagues.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll