Sport

"Asnjë atlete transgjinore në garat e femrave": Komiteti Olimpik i SHBA-së ndjek 'porositë' e presidentit Donald Trump...

Komiteti Olimpik i SHBA-së i ka informuar federatat që të zbatojnë urdhrin ekzekutiv të lëshuar dimrin e kaluar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

24 Korrik 2025, 14:00 Nga DOSJA

"Asnjë atlete transgjinore në garat e femrave": Komiteti

SHBA - Asnjë atlete transgjinore nuk lejohet në garat e femrave në Shtetet e Bashkuara. Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i SHBA-së e ka konfirmuar këtë, duke njoftuar federatat e notit, atletikës dhe sporteve të tjera se ato kanë një "detyrim për t'u pajtuar" me urdhrin ekzekutiv të lëshuar nga Presidenti Donald Trump.

Politika e re, e njoftuar të hënën me një përditësim në faqen e internetit të USOPC dhe e konfirmuar në një letër dërguar organeve kombëtare drejtuese të sportit, vjen pas një mase të ngjashme të miratuar nga NCAA në fillim të këtij viti, e cila preku, ndër të tjera, notaren Lia Thomas, atleten e parë transgjinore që fitoi një kampionat të Divizionit I të NCAA.

Ndryshimi i USOPC përmendet në mënyrë indirekte si një detaj në seksionin "Politika e Sigurisë së Atletëve të USOPC" dhe i referohet urdhrit ekzekutiv të Trump, "Mbajtja e Burrave Larg Sporteve të Grave", të nënshkruar në shkurt.

Ky urdhër, ndër të tjera, kërcënon të "tërheqë të gjitha fondet" për organizatat që lejojnë atletët transgjinorë të marrin pjesë në sportet e femrave. Zyrtarët olimpikë të SHBA-së u kanë thënë organeve qeverisëse kombëtare se do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë, duke shtuar se "USOPC është angazhuar në një sërë bisedash respektuese dhe konstruktive me zyrtarët federalë" që kur Trump mori detyrën.

"Si një organizatë e miratuar federalisht, ne kemi detyrimin të përmbushim pritjet federale", shkruan në një letër CEO e USOPC, Sarah Hirshland dhe presidenti Gene Sykes. 

"Politika jonë e rishikuar thekson rëndësinë e sigurimit të mjediseve të drejta dhe të sigurta të konkurrencës për gratë. Të gjitha organet qeverisëse kombëtare duhet të përditësojnë politikat e tyre përkatëse në përputhje me dispozitat e reja." 

Qendra Kombëtare Ligjore për Gratë lëshoi menjëherë një deklaratë duke dënuar vendimin, përmes presidentes dhe drejtoreshës ekzekutive të organizatës, Fatima Goss Graves: "Duke iu nënshtruar kërkesave politike, USOPC po sakrifikon nevojat dhe sigurinë e atletëve të saj."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll