Politike

Hetimet ndaj Veliajt/ SPAK ka një të penduar të drejtësisë për çështjen, Adela Kondakçiu zbërthen skemën e korrupsionit

Kondakçiu është marrë po ashtu e pandehur por në fund të procesit lehtësohet nga masa e dënimit sipas ligjit.

24 Korrik 2025, 15:39 Nga r.ll

Hetimet ndaj Veliajt/ SPAK ka një të penduar të

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka për herë të parë një të penduar të drejtësisë që do të japë informacione lidhur me korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Sipas gazetares Klodiana Lala, kjo ka ndodhur në rastin e hetimeve ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ku një prej të njerëzve më të besuar të Ajola Xoxës ka rrëfyer në këmbim të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë skemën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Lala raporton se e penduara Adela Kondakçiu është truri financiar i Ajola Xoxës dhe ka dorëzuar në SPAK çdo të dhënë kundër çiftit. Kondakçiu është marrë po ashtu e pandehur por në fund të procesit lehtësohet nga masa e dënimit sipas ligjit.

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Bëhet me dije se hetimet për kryebashkiakun e Tiranës do të përfundojnë më 29 shtator.  Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe biznesmenin Mirton Lika në lidhje me dosjen "Veliaj". Lika akuzohet për veprën e “Fshehjes së të ardhurave”. Të pandehur janë marrë edhe biznesmenët Elman Abule, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Sokol Kryeziu, të cilët u njohën me akuzat e SPAK.

E pandehur në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut është marrë edhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka e cila akuzohet për veprën penale të pengimit të zbardhjes së të vërtetës. Sipas SPAK, Bushka ka kërcënuar Ina Goxhajn që të mos dëshmonte në SPAK kundër Veliajt dhe Xoxës. I pandehur është marrë edhe polici i burgjeve, Fation Baci i cili dyshohet nga SPAK se i ka dhënë një telefon Veliajt gjatë procesit të shoqërimit. Nën akuzë janë vënë familjarët dhe vartës të Ajola Xoxës.  Në total në kuadër të kësaj dosje hetimore me rreth 60 mijë faqe, SPAK ka marrë të pandehur 30 persona, shoqëri fizike dhe organizata jofitimprurëse. 

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

adela kondakçiu spak hetimet per veliajn ajola xoxa

Sondazh

Poll