Aktualitet

Teknologjia e avancuar "eye tracking" përdoret për herë të parë në Shqipëri për analizën e sjelljes së konsumatorit

Studimi evidenton ndikimin psikologjik dhe financiar të perceptimit të mungesës së produkteve tek konsumatorët dhe është kryer nga Prof. Asoc. Dr. Mirdaim Axhami nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Aulona Ulqinaku, Departamenti i Marketingut në LIUC Carlo Cattaneo, Milano, dhe Agim Fjolla, Doktorant në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

23 Korrik 2025, 19:12 Nga DOSJA
Teknologjia e avancuar "eye tracking" përdoret për herë
foto ilustruese

TIRANË- Studimi i fundit i realizuar nga Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Grupin BALFIN, i paraqitur në emisionin e mëngjesit të Scan TV. Studimi evidenton ndikimin psikologjik dhe financiar të perceptimit të mungesës së produkteve tek konsumatorët dhe është kryer nga Prof. Asoc. Dr. Mirdaim Axhami nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Aulona Ulqinaku, Departamenti i Marketingut në LIUC Carlo Cattaneo, Milano, dhe Agim Fjolla, Doktorant në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

"Fokusi kryesor është se si bizneset duhet të komunikojnë në kushte mungese, për të mos ndikuar negativisht në mirëqenien psikologjike dhe financiare të konsumatorëve," tha Mirdaim Axhami. Studimi analizoi sjelljen e konsumatorëve gjatë periudhave të mungesës, të nxitura kryesisht nga periudha e pandemisë dhe konflikti Rusi-Ukrainë.

Teknologjia inovative e "eye tracking" u përdor për herë të parë në Shqipëri, në bashkëpunim me rrjetet e supermarketeve të Grupit BALFIN, për të analizuar drejtimin e vëmendjes së konsumatorëve kur ata përballen me mungesën e produkteve esenciale dhe jo-esenciale.

Teknologjia e avancuar "eye tracking" përdoret për herë

Aulona Ulqinaku shpjegoi se kur mungon një produkt esencial si mielli ose vezët, konsumatori menjëherë kërkon alternativa të tjera. "Vëmendja e konsumatorit shkon menjëherë tek alternativat kur produkti është esencial, ndërsa për produktet jo-esenciale, ata mbeten besnikë ndaj markës së preferuar," tha ajo.

Një tjetër konstatim i rëndësishëm i studimit është roli i mediave në thellimin e panikut të konsumatorëve përmes mungesës së transparencës ose ekzagjerimit të situatës reale. "Komunikimi i pamjaftueshëm ose i pasaktë nga media ndikon negativisht tek gjendja psikologjike dhe sjellja e konsumatorëve, duke çuar në blerje impulsive dhe krijim mbetjesh ushqimore," theksoi Axhami.

Në bazë të studimit, ekspertët rekomandojnë që bizneset të komunikojnë në mënyrë transparente dhe të sigurojnë konsumatorin se situata është nën kontroll, duke ofruar zgjidhje dhe alternativa konkrete në momentet e mungesës reale të produkteve. Gjithashtu, ata kërkojnë që marketingu të shmangë krijimin artificial të perceptimit të mungesës, pasi kjo sjell pasoja negative në mirëqenien psikologjike dhe financiare të konsumatorit.

Studimi është një shembull i qartë i bashkëpunimit efektiv ndërmjet akademisë, institucioneve publike dhe biznesit, duke kontribuar në përmirësimin e praktikave të biznesit dhe mbrojtjen e konsumatorit në tregun shqiptar.

teknologjia eye tracking sjellja e konsumatorit

Sondazh

Poll