Politike

Ngërçi politik në Kosovë/ Mbahet sot seanca e 46-të për konstituimin e Kuvendit

Vendi po përballet me një ngërç institucional të zgjatur, që ka penguar formimin e organeve legjislative dhe të qeverisë së re.

13 Korrik 2025, 08:54 Nga E. D
Ngërçi politik në Kosovë/ Mbahet sot seanca e 46-të
kuvendi i kosoves

KOSOVË- Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për herën e 46-të për konstituim të Kuvendit në orën 11:00, pas më shumë përpjekjesh të pasuksesshme për ta zhbllokuar situatën politike. Vendi po përballet me një ngërç institucional të zgjatur, që ka penguar formimin e organeve legjislative dhe të qeverisë së re.

Të gjitha përpjekjet e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospajtimeve ndërmjet partive politike për ndarjen e posteve kyçe dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në thelb të bllokadës qëndron mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit i cili do të duhej të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit.

Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun dhe mënyrën e votimit të fshehtë.

Qytetarët dhe faktori ndërkombëtar kanë bërë thirrje të përsëritura për përgjegjësi politike dhe urgjencë në zgjidhjen e krizës. Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse edhe ky tentim do të sjellë ndonjë ndryshim konkret. 

kuvendi i kosoves

Sondazh

Poll