Politike

Kurti pas takimit me diplomatin amerikan Hanrahan: Kosova, partnere e besueshme e SHBA-së

Gjatë darkës u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fusha si investimet, diplomacia, mbrojtja dhe integrimi euro-atlantik i Kosovës.

13 Korrik 2025, 08:09 Nga E. D
Kurti pas takimit me diplomatin amerikan Hanrahan: Kosova, partnere e besueshme
foto ilustruese

KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar dje një darkë pune me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan. Darka u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë dhe u organizua nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje zyrtarit amerikan, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit demokratik të vendit. Gjatë darkës u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fusha si investimet, diplomacia, mbrojtja dhe integrimi euro-atlantik i Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, tha Kurti. 

Gjithashtu temë e diskutimeve ishin zhvillimet politike aktuale, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, në një periudhë të ndjeshme për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Pas takimit, Kurti ka shkëputur në rrjetin social X dhe pjesë nga takimi.

"Ishte kënaqësi të takohesha me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe diskutuam fushat për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomacinë dhe mbrojtjen, ndër tema të tjera kyçe," tha Kurti. 

albin kurti brendan hanrahan

Sondazh

Poll