Bota

Netanyahu i quan të papranueshme kërkesat e Hamasit përpara bisedimeve në Katar

Netanyahu shtoi se do ti përgjigjen ftesës për bisedime indirekte dhe të vazhdojnë përpjekjet për të rikuperuar pengjet, bazuar në propozimin e Katarit që Izraeli e ka pranuar. Ai theksoi se ekipi negociator do të udhëtojë për në Katar të dielën për bisedime.

6 Korrik 2025, 08:46 Nga N.F
Netanyahu i quan të papranueshme kërkesat e Hamasit përpara
Foto

IZRAEL- Orë përpara se negociatorët izraelitë të mbërrijnë në Katar për bisedime indirekte që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka përshkruar si "të papranueshme" kërkesat e reja të ngritura nga Hamasi. Sipas tij ndryshimet e kërkuara nga Hamasi në propozimin e Katarit na u komunikuan mbrëmë dhe janë të papranueshme për Izraelin.

Netanyahu shtoi se do ti përgjigjen ftesës për bisedime indirekte dhe të vazhdojnë përpjekjet për të rikuperuar pengjet, bazuar në propozimin e Katarit që Izraeli e ka pranuar. Ai theksoi se ekipi negociator do të udhëtojë për në Katar të dielën për bisedime.

Hamasi njoftoi të premten se ishte gati të fillonte negociatat mbi një propozim për armëpushim, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe të paraqitur nga Katari dhe Egjipti. Sipas dy burimeve palestineze, propozimi përfshin një armëpushim për 60 ditë, gjatë të cilit Hamasi do të lirojë 10 pengje të gjallë dhe do të dorëzojë disa trupa pengjesh, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael.

Hamasi po vendos si kushte tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës, dhënien e garancive për mospërsëritjen e konflikteve gjatë negociatave dhe caktimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare për OKB-në dhe organizatat e njohura ndërkombëtare.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili do të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, vlerësoi se është e mundur të arrihet një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit javën e ardhshme.

netanyahu

Sondazh

Poll