Politike

Deputeti gjerman në Bundestag: Strukturat paralele serbe në veri të Kosovës duhet të shpërbëhen!

Beyer tha se KFOR-i duhet të qëndrojë edhe më tej në Kosovë për të ndihmuar stabilitetin atje dhe të krijojë kushtet që në Kosovë të ketë qetësi dhe paqe të qëndrueshme.

30 Qershor 2025, 09:27 Nga N.F
Deputeti gjerman në Bundestag: Strukturat paralele serbe në veri
Beyer

GJERMANI- Deputeti gjerman, Peter Beyer gjatë fjalës së tij në Bundestag ka kërkuar që në veri të Kosovës të çmontohen strukturat paralele. Sipas tij zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë ato struktura.

“Kosova dhe rajoni duhet të kthehet përsëri në fokusin politik të angazhimit tonë atje”, tha ai duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. 

Ai më tej lavdëroi punën e ushtarëve gjermanë të cilët sipas tij bëjnë një punë të shkëlqyer për sigurinë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Beyer citoi deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte se angazhimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor duhet dhe është një detyrë parësore për Aleancën.

Beyer tha se KFOR-i duhet të qëndrojë edhe më tej në Kosovë për të ndihmuar stabilitetin atje dhe të krijojë kushtet që në Kosovë të ketë qetësi dhe paqe të qëndrueshme.

“Të gjithë aktorët politikë dhe etnikë në Kosovë, duhet të merren vesh me njëri-tjetrin. Situata politike, zhvillimet politike në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë kanë ende nevojë për përmirësim. Strukturat paralele ekzistuese atje, duhet të shpërbëhen plotësisht. Në veri duhet të organizohen zgjedhjet dhe ato të mbahen në kushte sigurie, për çka KFOR-i jep një kontribut të madh”, ka theksuar Beyer.

Deputeti gjerman ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.

“Gjithashtu duhet të zbatohen të gjitha obligimet, që dalin nga marrëveshjet e arritura. Duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe për këtë duhet siguri, të cilën mund ta ofrojë KFOR-i. Prishtina duhet të ofrojë mbrojtje për minoritet, por ajo duhet edhe të ndihmohet në luftimin e strukturave dhe bandave kriminale që veprojnë atje. Në veri, së fundmi është zbuluar edhe një arsenal i madh armësh, që është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë ato struktura”, theksoi Beyer.

peter beyer kosova

Sondazh

Poll