Bota

Temperaturat do t'i kalojnë 40 gradë/ Alarm në Itali, Francë, Spanjë dhe Portugali për valën e parë të të nxehtit të verës

Në vitin 2021, Italia theu rekordin e temperaturës për Evropën kontinentale, duke arritur në 48.8 gradë Celsius, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike.

27 Qershor 2025, 21:00 Nga r.ll
Temperaturat do t'i kalojnë 40 gradë/ Alarm në Itali,
foto ilustruese

EVROPË- Valë të reja të nxehtësisë priten në vende të ndryshme të Evropës, veçanërisht në Itali, ku rreth 20 qytete të mëdha u vunë në gatishmëri këtë fundjavë dhe në Francë, e cila po përballet me rreziqe "serioze" nga zjarri në juglindje. Ministria e shëndetësisë e Italisë ka ngritur alarmin e kuq për Romën dhe Venedikun, për shkak të një niveli të nxehtësisë që ka të ngjarë të ketë ndikime shëndetësore tek njerëzit që janë në shëndet të mirë dhe jo vetëm tek popullatat vulnerabël. Në vitin 2021, Italia theu rekordin e temperaturës për Evropën kontinentale, duke arritur në 48.8 gradë Celsius, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike.

Në Francë, katër rajone në rajonin e Mesdheut (Bouches-du-Rhône, Gard, Hérault dhe Pyrénées-Orientales) u vendosën në një alarm portokalli për valë të nxehti sot, njoftoi Shërbimi Meteorologjik i vendit. Temperaturat priten të variojnë nga 35 deri në 38 gradë Celsius, ndërsa lokalisht 39 gradë Celsius, kryesisht në brendësi të vendit.

Nxehtësia mund të përkeqësohet më tej dhe, mbi të gjitha, të përhapet në pjesën tjetër të vendit, shpjegon Météo-France. Nesër, temperaturat në mëngjes do të variojnë midis 10 dhe 26 gradë Celsius, pranë Mesdheut, përpara se të arrijnë 34 deri në 38 gradë Celsius, lokalisht 40 gradë Celsius. Në Francë, 14 departamente janë shpallur në alarm portokalli.

Ky është një "episodë e hershme e një vale të nxehti", kohëzgjatja e së cilës dhe shtrirja e saj graduale në veri kërkojnë "vigjilencë të veçantë", nënvizon Météo-France.

Prej ditësh, autoritetet bashkiake dhe rajonale dhe shërbimi zjarrfikës kanë shtuar rekomandimet dhe paralajmërimet e tyre. Qyteti i dytë më i madh i Francës, Marseja, njoftoi se hyrja në pishinat bashkiake do të jetë falas deri në përfundimin e motit ekstrem. Në Provencë, rajoni më i ekspozuar ndaj rrezikut të zjarreve pyjore në Francën metropolitane, 14 zona pyjore nga 26 gjithsej u mbyllën, me një "ndalim të rreptë" të hyrjes.

Kjo valë e nxehtësisë po godet edhe Spanjën jugore, ku temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius nesër, të shtunën. Spanja po përgatitet gjithashtu të përjetojë valën e parë të nxehtësisë së verës, e cila do të fillojë nesër dhe do ta çojë termometrin deri në 42 gradë Celsius në jug të vendit.

Ditët më të këqija do të jenë e diela dhe e hëna, kur termometrat do të tregojnë më shumë se 40 gradë Celsius në jug, qendër dhe lindje të vendit, paralajmëroi agjencia meteorologjike e vendit Aemet. Temperaturat minimale nuk do të bien nën 25 gradë Celsius në jug të Spanjës.

Në Portugali, dy të tretat e vendit do të vihen në alarm portokalli të dielën, me 42 gradë Celsius të parashikuar në Lisbonë dhe një rrezik maksimal zjarresh. Ballkani po përballet gjithashtu me valën e parë të nxehtësisë së vitit. Në Serbi, temperaturat maksimale dje variuan midis 36 dhe 39 gradë Celsius, pothuajse 10 gradë Celsius mbi mesataren, paralajmëroi shërbimi meteorologjik i vendit.

nxehtesia ne europe itali france spanje portugali

Sondazh

Poll