Sport

Matthew Vaughn, bashkëshorti i Claudia Schiffer, do të bëhet aksioner te Brentford

Britaniku 54-vjeçar, pas bashkëpunimit të tij me Cristiano Ronaldon, ka filluar negociatat për të blerë një pjesë të vogël të aksioneve të londinezëve.

25 Qershor 2025, 20:00 Nga DOSJA
Matthew Vaughn, bashkëshorti i Claudia Schiffer, do të bëhet

ANGLI - Në fillim të prillit, industria e filmit u habit kur mësoi se Matthew Vaughn dhe Cristiano Ronaldo kishin bashkuar forcat (dhe fondet e tyre), duke njoftuar krijimin e një studioje të pavarur filmash të quajtur “UR Marv”.

Dy muaj më vonë, regjisori dhe producenti britanik (Kick-Ass, Kingsman, X-Men, Argyle, Rocketman, Tetris, disa nga sukseset e tij) po bën një tjetër veprim surprizë, këtë herë duke e përfshirë drejtpërdrejt në botën e sportit.

Britaniku 54-vjeçar, i cili është i martuar me supermodelen gjermane të viteve '90, Claudia Schiffer, që nga viti 2002, është në bisedime me Brentford për të blerë një pjesë të vogël të aksioneve.

Vaughan, një tifoz i njohur i Chelseat dhe mbështetës i deklaruar i Partisë Konservatore, thuhet se është në bisedime me biznesmenin e Afrikës së Jugut, Gary Lumbner.

Ai kërkon të blejë një pjesë prej 10%-20% të aksioneve të ekipit, me aksionet që vlerësohen të jenë midis 48 milionë dhe 90 milionë euro. Lumbner është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Partisë Laburiste!

Nuk ka asnjë koment nga Brentford, por shumë veta kujtuan shfaqjen e papritur të Claudia Schiffer (e shoqëruar nga vajzat e saj) në ndeshjen Brentford-Nottingham Forest dhjetorin e kaluar.

Matthew Vaughan, përveç partneritetit të tij me Cristiano Ronaldon, është bashkëpronar i kompanisë së filmave Marv Studios (me Claudia Schiffer), e cila njoftoi fitime prej 91 milionësh vitin e kaluar.

Pronari aktual i Brentford, Matthew Benham, një statistikant, entuziast i basteve dhe tifoz fanatik, mori drejtimin e ekipit në vitin 2014 dhe i solli ata nga League 1 në Premier League me mbi 100 milionë paund në ekip.

Hollywood takohet me futbollin anglez

Nëse marrëveshja më në fund miratohet, Matthew Vaughan do të bashkohet si hallka më e fundit në një zinxhir (gjithnjë në rritje) të personazheve të famshëm që investojnë në futbollin anglez:

Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney blenë Wrexham dhe i ngjitën ata në Championship. Ylli i Creed, Michael B. Jordan, ka qenë aksionar në Bournemouth që nga viti 2022.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll