Aktualitet

I premtoi një gruaje punësimin e djalit si inspektor mjedisi kundrejt parave, GJKKO dënon Dritan Lleshin me 8 muaj burgim, përfiton nga gjykimi i shkurtuar

Sipas organit të akuzës, Dritan Lleshi i ka premtuar një gruaje punësimin e djalit të saj si inspektor mjedisi kundrejt pagesës duke i thënë që “kam vëllain në Ministrinë e Brendshme”.

24 Qershor 2025, 15:52 Nga N.F
I premtoi një gruaje punësimin e djalit si inspektor mjedisi kundrejt
Foto

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burg Dritan Lleshin, i cili akuzohet për  “Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”. Lleshi u shpall fajtor dhe u dënua me 8 muaj burgim, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.

Sipas organit të akuzës, Dritan Lleshi i ka premtuar një gruaje punësimin e djalit të saj si inspektor mjedisi kundrejt pagesës duke i thënë që “kam vëllain në Ministrinë e Brendshme”. Lleshi thoshte kishte një vëlla që punonte në Ministrinë e Brendshme dhe se nëpërmjet tij do të ndërhynte që personi në fjalë të fitonte konkursin për inspektor mjedisi në Fier ose në Lushnje. 

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Dritan Lleshi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 14.05.2021)”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela, me vendimin Nr. 46, datë 24.06.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Lleshi, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal, (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, datë 14.05.2021) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Dritan Lleshi me 8 (tetë) muaj burgim. Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal, si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Dritan Lleshi do të fillojë të llogaritet nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Në lidhje me provat materiale Aparati telefonik celular i markës “Samsung Galaxy J3 Eclipse”, me ngjyrë të zezë, me IMEI ****, t’i kthehet shtetasit A.N, konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale. · Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, në masën 40060 (dyzet mijë e gjashtëdhjetë) lekë, të seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i ngarkohen të pandehurit, në bazë të neneve 393/1 dhe 406/4 të K.Pr.Penale. · Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

dritan leshi

Sondazh

Poll