Sport

Irani do të shkojë në Amerikë, kualifikohet për në Botërorin e 2026-s!

Barazimi 2-2 me Uzbekistanin jo vetëm që vulosi vendin e dytë në Grupin A të kualifikueseve aziatike, por i dha Iranit pjesëmarrjen e katërt radhazi dhe të shtatën në historinë e tij.

23 Qershor 2025, 16:44 Nga DOSJA
Irani do të shkojë në Amerikë, kualifikohet për në

IRAN - Më 25 mars në Teheran, Irani arriti atë që çdo komb ëndërron: sigurimin e një bilete për në Kupën e Botës FIFA 2026. Barazimi 2-2 me Uzbekistanin jo vetëm që vulosi vendin e dytë në Grupin A të kualifikueseve aziatike, por i dha Iranit pjesëmarrjen e katërt radhazi dhe të shtatën në historinë e tij.

Por ndërsa futbolli feston, politika bën faull. Fitorja e Iranit ka ardhur në një moment kur tensionet me Shtetet e Bashkuara, një prej organizatoreve të turneut së bashku me Meksikën dhe Kanadanë, janë në kulmin e tyre. Klima diplomatike është helmuar nga krizat e fundit dhe nga hijet e një urdhri ekzekutiv amerikan, që kufizon lëvizjen e shtetasve iranianë.

Kjo e bën rrugëtimin e Iranit drejt Botërorit jo vetëm sfidë sportive, por edhe një përplasje të heshtur mes sportit dhe realpolitikës. Pyetja nuk është më nëse Irani do të luajë, por ku do të luajë. Sepse, nëse kalendari i ndeshjeve e vendos në territor amerikan, kufizimet e vizave mund të përjashtojnë jo vetëm tifozët, por edhe vetë ekipin apo stafin teknik.

FIFA, në mes të kësaj vale tensioni, përballet me një dilemë të ndjeshme. Pa asnjë vendim zyrtar për pezullim, precedentët nuk mungojnë: Jugosllavia në vitet ’90, Rusia më së fundmi. Por ky rast është më delikat, përballja nuk është me një luftë, por me një ndalim administrativ.

Nga ana tjetër, historia na kujton një episod të paharrueshëm: ndeshjen mes SHBA-së dhe Iranit në Francë 1998. Ajo u konsiderua një mrekulli diplomatike, ku sporti foli me një gjuhë që liderët nuk arrinin dot ta përdornin. Sot, pas më shumë se dy dekadash, ndjesia është krejt tjetër: një pezullim në ajër, një kualifikim që mund të mos përkthehet në një prezencë reale.

Irani e fitoi të drejtën për të qenë në fushë. Por a do të mundet të luajë aty ku e vendos shorti? Përgjigjja, për fat të keq, ndodhet jashtë stadiumeve dhe larg tabelës së rezultateve.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll