Politike

Kërkon të ketë vëzhgues gjatë procesit të rinumërimit, Lëvizja Bashkë ankimon vendimin e Celibashit: Shkelje e parimeve të barazisë së subjekteve në garë

Sipas vendimit, rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.

17 Qershor 2025, 17:02 Nga M.B
Kërkon të ketë vëzhgues gjatë procesit të
Foto ilustruese

TIRANA- Lëvizja Bashkë ka kundërshtuar vendimin e kryekomisionerit Ilirian Celibashin, duke çuar në KAS çështjen e të mos paturit vëzhgues në procesin e rinimumërimit. Sipas vendimit, rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.

Në ankimimin e Lëvizjes Bashkë thuhet se përjashtimi nga kjo e drejtë përbën shkelje të parimeve të barazisë së subjekteve në garë dhe cenon besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Lëvizja Bashkë kërkon rishikimin e vendimit dhe pranimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve, në mënyrë që të na garantohet e drejta ligjore për mbikëqyrjen e procesit të rinumërimit të votave si dhe dhënien e një përgjigjeje të arsyetuar me shkrim, ku të sqarohen bazat ligjore të refuzimit të kërkesës, nëse ky refuzim do të mbahet në fuqi.

Pjesë nga ankimimi:

Në vijim të kërkesës sonë nr. 5175 të paraqitur më 13.06.2025 për përfshirjen e vëzhguesve të Lëvizjes BASHKË në procesin e rinumërimit të votave që po zhvillohet në kuadër të vendimeve të KQZ-së, jemi njoftuar për një përgjigje negative nga KQZ

Me këtë ankimim dëshirojmë të theksojmë sa vijon:

E drejta për të pasur vëzhgues është e garantuar nga ligji: Sipas nenit 119 dhe nenit 120 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje kanë të drejtë të akreditojnë vëzhgues në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, përfshirë procesin e rinumërimit të votave. Përjashtimi i Lëvizjes BASHKË nga kjo e drejtë përbën shkelje të parimeve të barazisë së subjekteve në garë dhe cenon besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Procesi i rinumërimit ka rëndësi përcaktuese për rezultatin përfundimtar: Përfaqësimi i votës së qytetarëve, për të cilën Lëvizja BASHKË është subjekt pjesëmarrës në zgjedhje, lidhet ngushtë me transparencën dhe monitorimin e çdo faze, përfshirë rinumërimin. Refuzimi për akreditimin e vëzhguesve tanë cenon të drejtën tonë për të garantuar integritetin e votës.

Ne kemi respektuar çdo procedurë ligjore. Kërkesa jonë është bërë në përputhje me afatet dhe format e përcaktuara nga ligji, dhe kemi shprehur gatishmërinë për të depozituar listën e vëzhguesve dhe dokumentacionin shoqërues brenda afateve.

Për sa më sipër, kërkojmë:

Rishikimin e vendimit dhe pranimin e kërkesës sonë për akreditimin e vëzhguesve, në mënyrë që të na garantohet e drejta ligjore për mbikëqyrjen e procesit të rinumërimit të votave.

Dhënien e një përgjigjeje të arsyetuar me shkrim, ku të sqarohen bazat ligjore të refuzimit të kërkesës sonë, nëse ky refuzim do të mbahet në fuqi.

Në pritje të një përgjigjeje tuaj sa më të shpejtë dhe në përputhje me parimet e ligjshmërisë.

Punë të mbarë!

Arlind Qori

levizja bashke

Sondazh

Poll