Aktualitet

Punësimi dhe shitjet nga të huajt, Turqia dhe SHBA humbasin terren, rriten Austria dhe Gjermania

Sipas të dhënave të INSTAT për vitet 2022 dhe 2023, vërehen ndryshime si në shitjet neto, ashtu edhe në punësim nga ndërmarrjet me pronësi të huaj dhe të përbashkët.

13 Qershor 2025, 12:41 Nga M.B
Punësimi dhe shitjet nga të huajt, Turqia dhe SHBA humbasin terren,
Foto ilustruese

TIRANA- Kapitali europian ka thelluar më tej praninë në ekonominë shqiptare në vitin 2023, duke konsoliduar rolin e tij në shitje dhe duke ruajtur kontrollin në strukturën e punësimit. Sipas të dhënave të INSTAT për vitet 2022 dhe 2023, vërehen ndryshime si në shitjet neto, ashtu edhe në punësim nga ndërmarrjet me pronësi të huaj dhe të përbashkët.

Numri i të punësuarve ka mbetur pothuajse i pandryshuar në total, me një rritje të lehtë. Vihet re rënia e peshës së Italisë, e cila është kompensuar nga rritja e aktorëve të tjerë si Holanda dhe Gjermania. Ka një rritje të ndjeshme të kontributit të bizneseve të BE-së në shitjet neto me 8,6 pikë përqindje. Italia dhe Holanda janë ndër vendet me rritjen më të fortë.

Turqia shënoi rënie të theksuar, me thuajse 10 pikë përqindje më pak shitje neto me 2023 krahasuar me 2022. Shitjet nga vendet jashtë BE-së në total janë ulur ndjeshëm, duke zbritur në 26% në 2023 nga 34,9% në 2022. Të dhënat mbi shitjet neto të bizneseve të huaja tregojnë zhvendosje drejt ndërmarrjeve europiane, sidomos nga Italia, Holanda, Gjermania dhe Austria.

Turqia dhe SHBA humbën terren si në shitje, ashtu edhe në punësim, duke reflektuar një tërheqje nga tregu shqiptar ose dobësim të pozicioneve të tyre, ndonëse bizneset nga këto vende u rritën me ritme të larta me 2023. Shitjet e ndërmarrjeve turke në vitin 2023 zunë 7.4% të totalit të shitjeve që realizuan bizneset e huaja në vendin tonë nga 17 % që ishte ky tregues me 2022.

Ndërmarrjet nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një prani të kufizuar në tregun shqiptar. Pjesa më e madhe e ndikimit vjen nga Kosova, e cila në vitin 2023 kontribuoi me 6,4% në shitjet neto dhe 5,1% në punësim me rritje nga viti paraprak. Të dhënat për Serbinë, Bosnje & Hercegovinën apo Malin e Zi mbeten minimale.

Austria dhe Gjermania kanë përforcuar praninë e tyre në tregun shqiptar. Austria, për shembull, kontribuoi me 6,1% në shitjet neto në vitin 2023 (nga 4,6% në 2022), ndërsa Gjermania kaloi nga 3,2% në 5%. Të ardhurat për punonjës nga investimet e huaja në Shqipëri janë rritur më pak se në vendet e rajonit. Banka Botërore ka rekomanduar reforma të thella për përmirësimin e klimës së investimeve.

Zhvillimi i sektorit të energjisë, turizmit dhe teknologjisë, tërheq investime të drejtpërdrejta. Por mungesa e stabilitetit institucional, burokracia dhe trajtimi ligjor i pabarabartë pengojnë një rritje më të qëndrueshme./ Monitor

punesimi

Sondazh

Poll