Bota

Bisedimet në Londër/ SHBA-ja dhe Kina arrijnë marrëveshje paraprake mbi metalet e rralla dhe tarifat, pritet miratimi përfundimtar nga Trump dhe Xi

Negociatorët nga të dy vendet në Londër thanë se kishin rënë dakord për të zbatuar konsensusin e arritur në raundin e mëparshëm të bisedimeve në Gjenevë.

11 Qershor 2025, 10:32 Nga E. D
Bisedimet në Londër/ SHBA-ja dhe Kina arrijnë marrëveshje
foto ilustruese

SHBA- Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një plan paraprak për të ulur tensionet në mosmarrëveshjen e tyre tregtare, gjë që mund të lejojë rifillimin e eksporteve të ndjeshme midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Negociatorët nga të dy vendet në Londër thanë se kishin rënë dakord për të zbatuar konsensusin e arritur në raundin e mëparshëm të bisedimeve në Gjenevë.

Propozimi do tu kthehet udhëheqësve të të dy vendeve për miratim, sipas kryenegociatorit të Kinës, Li Zhenggang. Ndërsa detajet e plota të marrëveshjes nuk ishin menjëherë të disponueshme, por zyrtarët amerikanë thanë se prisnin që çështjet që lidhen me eksportet e metaleve të rralla dhe magneteve të zgjidheshin.

Miratimi nga Presidentët Trump dhe Xi

"Kur presidentët të miratojnë marrëveshjen, ne do të ecim përpara me zbatimin e saj", tha Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Latnick, në Londër pas dy ditësh bisedimesh intensive që zgjatën pothuajse 20 orë.

Takimet u mbajtën në një rezidencë gjeorgjiane pranë Pallatit Buckingham. Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jameson Greer, vuri në dukje se nuk ishin planifikuar takime të mëtejshme në këtë kohë, por shtoi se të dy palët mbajnë komunikim të shpeshtë dhe janë të gatshme të flasin sa herë që të jetë e nevojshme.

Bisedimet në Londër erdhën pas presionit nga administrata Trump, e cila kërkoi të formalizonte angazhimin e Pekinit për të rivendosur eksportet e metaleve të rralla të shpallura në Gjenevë. Mosmarrëveshja mbi mineralet kritike kishte ringjallur tensionet dhe kishte rrezikuar marrëveshjen e brishtë që ishte arritur, duke kërcënuar me trazira të reja për ekonominë globale.

bisedimet shba-kine

Sondazh

Poll