Sport

Kosova regjistron një tjetër fitore spektakolare në “Fadil Vokrri”!

Kosova ka përshëndetur tifozët e saj me një fitore të bukur 4-2 ndaj Komoreve, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

10 Qershor 2025, 00:56 Nga DOSJA
Kosova regjistron një tjetër fitore spektakolare në “Fadil

KOSOVE - Në një ndeshje që kishte gjithçka – gola, emocione, përmbysje dhe një tregolësh. Kosova ka përshëndetur tifozët e saj me një fitore të bukur 4-2 ndaj Komoreve, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndeshja nisi me ritëm të ngadaltë, por me një Kosovë që dominonte me topin dhe kërkonte hapësirat e duhura. Megjithatë, ftohtësia e Komoreve në daljen e tyre të parë ishte befasuese. Në minutën e 12-të, një krosim i saktë dhe një goditje me kokë nga Said Bakari tronditi “Dardanët”, ekipi mik kaloi në epërsi me shifrat 0-1.

Por ky gol shërbeu si zgjim për të besuarit e Franco Fodas. Vetëm shtatë minuta më vonë, Albion Rrahmani, njeriu i momentit, u kujdes që stadiumi të shpërthente: një gol i bukur për 1-1 në minutën e 19-të.

Pjesa e parë u mbyll në barazim, por Kosova doli nga pushimi me synim të qartë, përmbysje. Dhe kush tjetër përveç Rrahmanit? Në minutën e 59-të, ai riktheu avantazhin në anën e duhur, 2-1. Euforia vazhdoi edhe më tej kur në minutën e 78-të, sulmuesi i Prishtinës kompletoi tregolëshin e tij të parë me fanellën e Kosovës, duke çuar shifrat në 3-1.

Kur gjithçka po dukej se kishte marrë fund, Komoret gjetën një rreze shprese me golin e Rafiki Said në minutën e 85-të, që ngushtoi rezultatin në 3-2. Por nuk zgjati shumë.

Në kohën shtesë, ishte radha e Fisnik Asllanit për të shkëlqyer. Me një finalizim të qetë në minutën e 91-të, ai vulosi fatin e ndeshjes me rezultatin përfundimtar 4-2. Pas fitores bindëse ndaj Armenisë, “Dardanët” konfirmojnë formën e mirë duke regjistruar suksesin e dytë radhazi me 9 gola në dy ndeshje. Shpresa, entuziazëm dhe një Kosovë që po rikthehet të kënaqë me lojë e rezultat.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll