Bota

"Të shtëna paralajmëruese nga IDF"/ Netanyahu: Pati një "humbje të përkohshme të kontrollit" në një qendër shpërndarjeje ndihmash në Gaza

Mijëra njerëz përmbytën një qendër shpërndarjeje ushqimi në Rafah të martën në mëngjes. Në një moment, u dëgjuan të shtëna dhe turma u shpërnda në panik.

27 Maj 2025, 22:34 Nga M.L
"Të shtëna paralajmëruese nga IDF"/ Netanyahu: Pati
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi se pati një "humbje të përkohshme të kontrollit" në një qendër shpërndarjeje të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Mijëra njerëz përmbytën një qendër shpërndarjeje ushqimi në Rafah të martën në mëngjes. Në një moment, u dëgjuan të shtëna dhe turma u shpërnda në panik.

Pala izraelite mohon të ketë hapur zjarr nga ajri, por pranon se ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese jashtë zonës së shpërndarjes. 

"Ne hartuam një plan me miqtë tanë amerikanë për të pasur vende shpërndarjeje të kontrolluara ku një kompani amerikane mund të shpërndante ushqim për familjet palestineze", tha Netanyahu gjatë një fjalimi në Jerusalem.

"Pati një humbje të përkohshme të kontrollit" përballë fluksit masiv të palestinezëve, por "për fat të mirë e rimorëm kontrollin", shtoi Netanyahu.

"Shpërndarja e sotme e ndihmës nga furnizuesit amerikanë ishte e suksesshme", i tha AFP-së një zyrtar i lartë amerikan, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Ndërkohë, IDF mohoi raportet se hapi zjarr nga një helikopter gjatë incidentit. Një burim ushtarak raporton se një helikopter i Forcave Ajrore Izraelite po operonte mbi det në kohën e incidentit, por jo afër pikës së shpërndarjes. Megjithatë, IDF konfirmon se trupat qëlluan me të shtëna paralajmëruese jashtë kompleksit.

"Ne e kemi monitoruar situatën, operacionet e shpërndarjes së ushqimit pritet të vazhdojnë sipas planit dhe siguria e forcave të IDF nuk është kompromentuar", shtoi ushtria.

benjamin netanyahu

Sondazh

Poll