Bota

Ministri i Jashtëm iranian: Teherani është gati të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me BE-në

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë, janë palë në një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit që u përfundua në vitin 2015.

18 Maj 2025, 17:18 Nga I.A
Ministri i Jashtëm iranian: Teherani është gati të hapë
Abbas Araghchi

IRAN- Irani tha sot se është gati të “hapë një kapitull të ri” me vendet evropiane, edhe pse ato kërcënojnë të rivendosin sanksionet ndaj Teheranit.

"Irani është gati të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e tij me Evropën nëse sheh një vullnet të vërtetë dhe një qasje të pavarur nga ana e palëve evropiane", njoftoi Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, gjatë një forumi diplomatik në Teheran.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë, janë palë në një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit që u përfundua në vitin 2015. Teksti, i cili parashikon heqjen e sanksioneve kundër Teheranit në këmbim të kufizimit të aktiviteteve të tij bërthamore, u bë de facto i pavlefshëm pasi SHBA-të u tërhoqën nga kjo marrëveshje në vitin 2018, gjatë presidencës së parë të Donald Trump.

Diplomatët evropianë besojnë se kanë aftësinë për të zbatuar të ashtuquajturin "snapback", një mekanizëm në marrëveshjen e vitit 2015 që lejon rivendosjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Teheranit.

"Nëse Evropa ka vullnetin e nevojshëm për të korrigjuar këtë situatë, Irani nuk sheh asnjë pengesë për rivendosjen e besimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e marrëdhënieve me vendet evropiane," tha sot Araghchi.

Në fund të prillit, homologu i tij francez Jean-Noel Barrot deklaroi se Evropa nuk do të hezitonte "për asnjë sekondë" të rivendoste sanksionet kundër Teheranit nëse siguria evropiane kërcënohej nga programi i tij bërthamor.

Në një artikull të botuar javën e kaluar në faqen e internetit të gazetës franceze Le Point, kreu i diplomacisë iraniane i paralajmëroi evropianët për "strategjinë e tyre të përballjes".

abbas araghchi

Sondazh

Poll