Bota

Tarifat e Trump/ Von der Leyen: Nëse shkoj në Shtëpinë e Bardhë duhet të kem një paketë për të diskutuar!

Ajo theksoi se pati biseda të mira me Presidentin Trump, në telefon dhe në funeralin e Papës.

9 Maj 2025, 14:14 Nga N.F
Tarifat e Trump/ Von der Leyen: Nëse shkoj në Shtëpinë e
Foto

BRUKSEL- Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në deklaratat e përbashkëta me Kancelarin e ri gjerman Friedrich Merz në Bruksel u shpreh se nëse shkon në Shtëpinë e Bardhë, duhet të ketë me vete një paketë që mund ta diskutojë me Trump. Ajo theksoi se pati biseda të mira me Presidentin Trump, në telefon dhe në funeralin e Papës.

BE-ja kërcënoi dje, të enjten, se do të vendosë taksë për automjetet dhe aeroplanët amerikanë nëse negociatat për tarifat doganore amerikane dështojnë. Evropa përballet me tarifa prej 25% për çelikun, aluminin dhe makinat dhe 10% për shumicën e mallrave të tjera të eksportuara. Nga ana e tij, kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Donald Trump që t'i japë fund luftës tregtare dhe të heqë tarifat.

"I thashë atij se, sipas mendimit tim, përshkallëzimi i kësaj mosmarrëveshjeje doganore nuk është një ide e mirë", tha Merz në një konferencë për shtyp në Bruksel. "Zgjidhja më e mirë do të ishte një ulje në zero për gjithçka dhe për të gjithë."

Merz foli me presidentin amerikan gjatë një bisede telefonike të enjten. Të premten, ai vizitoi kryeqytetin belg për takime me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s. Merz theksoi se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të kenë një marrëveshje të ndërsjellë zero-zero, diçka që Komisioni e ka propozuar edhe për produktet industriale.

Kjo bie ndesh me marrëveshjen e re tregtare të Trump me Mbretërinë e Bashkuar, e cila mban tarifa prej 10% për shumicën e mallrave britanike, dhe të cilën Merz e vlerësoi të premten. Kancelari i ri shprehu keqardhje që bisedimet e mëparshme mbi një marrëveshje tregtare transatlantike nuk u përfunduan kurrë. 

Merz argumentoi se përveç tarifave, BE-ja duhet të ofrojë "njohje të gjerë" të standardeve teknike për shkak të "potencialit të tyre të madh për hapjen e tregjeve". Një shembull do të ishin rregullat në lidhje me makinat.

shba von der leyen

Sondazh

Poll