Politike

Denoncimi i PD: Shteti shqiptar u mohon pronësinë që u takon qytetarëve, edhe pse kanë vendim gjyqësor të formës së prerë

Partia Demokratike iu bën thirrje organeve respektive të njohin pronësinë e mohuar për pronarët legjitimë.

22 Prill 2025, 14:08 Nga r.ll
Denoncimi i PD: Shteti shqiptar u mohon pronësinë që u takon
genta vangjeli

TIRANË- Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli në një deklaratë nga selia blu ka denoncuar një rast shkeljeje ligjore që lidhet me një rast pronësie. 

Vangjeli thotë se në vitin 2007 familja Sylari në cilësinë e pronarit të truallit ka lidhur një akt marrëveshje me sipërmarrësin Ergest Krakulli, për ndërtimin e një objekti në të cilin pronarët e truallit do të përfitonin ambjente banimi në total 810 m2 në pasurinë nr.18/199, zona kadastrale 8571, lagjia Kongresi, qyteti Lushnjë. Ajo shton se në shkelje të kësaj akt marrëveshjeje, pronarëve të truallit ju mohua e drejta e pronësisë për sipërfaqen prej 67.1 m2.

Vangjeli thotë se shteti, përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe organeve të tjera, nuk ka ekzekutuar një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Vlorës, duke mohuar kështu të drejtën e pronarëve. Ndërsa pyet se pse ndodh kjo, zëdhënësja e PD-së një mundësi është se sipërmarrësi Ergest Krakulli është mbështetur nga Taulant Balla dhe ka mbajtur statusin e kreut të PS në Lushnjë.

Partia Demokratike iu bën thirrje organeve respektive të njohin pronësinë e mohuar për pronarët legjitimë. Ajo shton se "rropatjet" e shqiptarëve do marrin fund në 11 maj me votën për koalicionin "PD-ASHM". 

DEKLARATA E PLOTË:

Në vitin 2007 familja Sylari në cilësinë e pronarit të truallit ka lidhur akt marrëveshjen me sipërmarrësin Ergest Krakulli etj, për ndërtimin e një objekti në të cilin pronarët e truallit do të përfitonin ambjente banimi në total 810 m2 në pasurinë nr.18/199, zona kadastrale 8571, lagjia Kongresi, qyteti Lushnjë. Në shkelje të kësaj akt marrëveshjeje, pronarëve të truallit ju mohua e drejta e pronësisë për sipërfaqen prej 67.1 m2.

Për këtë ata paditën në gjykatë sipërmarrësin dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me anë të vendimit nr.362 datë 5 Qershor 2017 vendosi pranimin plotësisht të kërkesë padisë dhe detyrimin e sipërmarrësit Ergest Krakulli etj të dorëzojnë sip 67.1 m2 te paditësit.

Gjykata e Apelit Vlorë i ka dhënë formë të prerë këtij gjykimi duke lënë në fuqi këtë të drejtë të paditësve më anë të vendimit të saj nr.251 datë 26 Tetor 2022.

Megjithatë se gjykata ka gjetur si të paligjshme veprimet e sipërmarrësit duke mohuar sipërfaqen 67.1 m2 që i takon pronarëve të truallit sipas akt marrëveshjes, këta të fundit dëshmuan se nuk kanë mundur të ekzekutojnë vendimin për të njohur pronësinë edhe për këta metra katrorë të mohuara.

Për këtë padrejtësi janë me dije organet shtetërore konkretisht Agjencia Shtetërore e Kadastrës, zyra Qendrore e regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Po çfarë e detyron shtetin shqiptar t’u mohojë pronësinë që u takon qytetarëve kur për këtë disponojnë edhe vendim gjyqësor të formës së prerë?

Pse shteti vetë shkel ligjin me të dyja këmbët? A ndodh kjo në rastin konkret duke qenë se sipërmarrësi Ergest Krakulli është mbështetur nga Taulant Balla dhe ka mbajtur statusin e kreut të PS në Lushnjë?

Partia Demokratike dënon me forcë këtë padrejtësi dhe apelon organet respektive të njohin pronësinë e mohuar për pronarët legjitimë të cilët rropaten gjykatave me vite të tëra për të vërtetuar të drejtën e tyre e si përfundim vetë shteti ja mohon këtë të drejtë. Sigurojmë shqiptarët se këto marrin fund në 12 Maj. Bashkë t’u rikthejmë Shqipërinë shqiptarëve …

genta vangjeli pd

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll