Bota

Tragjedi në Florida/ Rrëzohet avioni "Cessna 310", tre viktima – Pamje tronditëse nga vendngjarja

Një avion i vogël bie menjëherë pas ngritjes në Boca Raton – trupat e pajetë dhe mbeturinat e përhapura në rrugë dhe hekurudhë. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim

11 Prill 2025, 18:44 Nga A.Ll
Tragjedi në Florida/ Rrëzohet avioni "Cessna 310", tre
Pamje nga rrezimi i avionit ne Florida

FLORIDA - Një aksident ajror tragjik ka ndodhur në mëngjesin e së premtes në shtetin e Floridës, ku një avion i vogël tip Cessna 310 është rrëzuar vetëm pak çaste pas ngritjes nga aeroporti Boca Raton, duke shkaktuar vdekjen e tre personave që ndodheshin në bord.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet vendore dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), e cila bëri të ditur se avioni ishte nisur drejt Aeroportit Ndërkombëtar Tallahassee, por humbi kontrollin dhe u përplas në orën 10:20 të mëngjesit.

Sipas raportimeve të portalit bocanewsnow.com dhe rrjetit NBC South Florida, dy nga trupat e viktimave janë parë të shtrirë pranë rrugës, ndërsa mbeturinat e avionit janë shpërndarë nëpër një zonë urbane, përfshirë një rrugë të frekuentuar dhe një segment të shinave të hekurudhës aty pranë. Gjithashtu, në vendin e aksidentit u konstatua një automjet i dëmtuar, i cili besohet se është goditur nga mbeturinat e avionit në çastin e përplasjes.

Viktimat nuk janë identifikuar ende, dhe autoritetet janë duke njoftuar familjet e tyre përmes procedurave zyrtare. Ndërkohë, nuk raportohet për të lënduar të tjerë nga toka.

Shkaqet e rrëzimit të avionit mbeten ende të paqarta. Hetues nga FAA dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur një hetim të thelluar për të përcaktuar faktorët që çuan në aksident. Nuk përjashtohet asnjë pistë, përfshirë gabim njerëzor, defekt teknik apo kushte atmosferike.

Ngjarje të tilla kanë rritur shqetësimet mbi sigurinë e fluturimeve private me avionë të vegjël, që shpesh operohen jashtë mbikëqyrjes së rreptë të linjave komerciale. Cessna 310 është një model i njohur në mesin e aviatorëve privatë, por kërkon mirëmbajtje rigoroze dhe kontroll të rreptë teknik para ngritjes.

rrezimi i avionit florida

Sondazh

Poll