Politike

Plani për fabrikën e armëve në Shkozë/ “Municione në mes të qytetit, s’kanë menduar për banorët”, Alimehmeti: Do të ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë!

Alimehmeti i ftuar në një intervistë për News24, e cilësoi vendimin si të paprecedentë dhe akuzoi qeverinë për shkelje të hapur të ligjit dhe injorim të interesit publik.

10 Prill 2025, 18:17 Nga E. D
Plani për fabrikën e armëve në Shkozë/
Ilir Alimehmeti

TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka reaguar sërish ashpër ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për rikthimin në pronësi të shtetit të godinave të ish-Uzinës “Autotraktori” në Shkozë, me qëllim ndërtimin e një fabrike armësh në këtë zonë urbane, duke anashkaluar autoritetin e bashkisë së Tiranës. Alimehmeti i ftuar në një intervistë për News24, e cilësoi vendimin si të paprecedentë dhe akuzoi qeverinë për shkelje të hapur të ligjit dhe injorim të interesit publik. Ai shtoi se vendimi bie ndesh me standardet e sigurisë dhe planifikimit urban. Alimehmeti gjithashtu paralajmëroi masa ligjore ndaj këtij vendimi.

"Sipas VKM-së së vitit 2017, këto toka i kaluan Bashkisë së Tiranës për zhvillim me destinacion arsimor, kulturor e sportiv. Në tetë vite nuk është bërë asgjë, dhe sot qeveria, në vend që të kërkojë llogari për këtë dështim, vendos të kthejë pronën dhe të ndërtojë aty një fabrikë armësh, në mes të qytetit. Edhe në Poliçan, dikur, fabrikat e armëve nuk ishin afër zonave të banuara. Ndërkohë, Tirana ka mjaft hapësira të përshtatshme jashtë qendrës urbane për çdo projekt të tillë, nëse do të ishte me të vërtetë i nevojshëm. 

Repartet ushtarake në Dajt po privatizohen për restorante, ndërsa pronat që mund të shërbenin për shkolla po kthehen në fabrika armësh. Do të ndjekim çdo rrugë ligjore për të ndalur këtë vendim arbitrar. Çështja do të shtrohet edhe në Këshillin Bashkiak, pasi çdo tjetërsim prone bashkiake kërkon shumicën e cilësuar 3/5 e votave. Kjo është mënyra se si vepron Partia Socialiste, me forcë dhe pa transparencë,” u shpreh Alimehmeti.

ilir alimehmeti

Sondazh

Poll