Politike

Prej dy muajsh në qeli/ "Jam ende pa akuzë prej një anonimi", Veliaj: Më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk

Ai shtoi se ndodhet në burg ende pa asnjë akuzë nga një person anonim i cili nuk egziston. Veliaj theksoi se askush nuk ka dalë të tregojë se ai i ka korruptuar.

10 Prill 2025, 14:01 Nga DOSJA
Prej dy muajsh në qeli/ "Jam ende pa akuzë prej një
erion veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar ditën e sotme përmes një postimi në lidhje me arrestimin e tij. Veliaj në postim shkruan se sot mbushen 2 muaj nga arrestimi i tij të cilën e ka cilësuar si burgim pa gjyq.

Ai shtoi se ndodhet në burg ende pa asnjë akuzë nga një person anonim i cili nuk egziston. Veliaj theksoi se askush nuk ka dalë të tregojë se ai i ka korruptuar. Sipas tij ata që e njohin e dinë që gjatë punës së tij ka qenë i ndërshëm.

POSTIMI I PLOTË: 

Të dashur miq, Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq - larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime. Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona - 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë!

Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri.

Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”! Nuk do t’ua harroj kurrë! Bekime dhe mall për ju të gjithë.

Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

erion veliaj

Sondazh

Poll