Bota

Brukseli reagon ndaj rikthimit të tarifave për çelikun dhe aluminin/ Propozon vendosjen e tarifave 25% për produktet amerikane dhe masa të ndara në dy faza, fillimi në maj...

Plani i Komisionit Evropian për kundërmasa ndaj tarifave të Trump: 25% taksa për produkte amerikane

7 Prill 2025, 20:22 Nga A.Ll
Brukseli reagon ndaj rikthimit të tarifave për çelikun dhe
Donald Trum dhe Ursula Von Der Leyen

Komisioni Evropian ka hartuar një plan kundërmasash tregtare si reagim ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të rivendosur tarifat për çelikun dhe aluminin.

Sipas një dokumenti të siguruar nga agjencia Reuters, Brukseli propozon vendosjen e tarifave 25% për një listë të zgjedhur produktesh amerikane, duke nisur nga 16 maji 2025, me një valë të dytë që do të nisë më 1 dhjetor të këtij viti.

Sipas të njëjtit dokument, produkti simbolik uiski Bourbon, i cili kishte qenë më parë në shënjestër të tarifave të BE-së në përgjigje të masave të ngjashme në të kaluarën, është hequr nga lista përfundimtare e tarifave të reja.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se: "Evropa është gjithmonë e gatshme për një marrëveshje të mirë. Ne e mbajmë atë në tryezë. Por jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi përmes kundërmasave dhe të mbrojmë interesat tona."

Për të përballuar efektet e mundshme indirekte të masave amerikane, Komisioni njoftoi ngritjen e një grupi pune për monitorimin e importeve. Qëllimi është të identifikohen fenomene të devijimit të eksporteve nga vendet e treta, që mund të përpiqen të kanalizojnë mallrat drejt BE-së për të shmangur barrierat amerikane.

Në një takim të mbajtur së fundmi me përfaqësues të industrisë së çelikut dhe aluminit, si dhe të sektorëve të lidhur, Komisioni Evropian u përball me kërkesa për masa më të forta mbrojtëse. Aktorët industrialë paralajmëruan për rrezikun që një luftë e re tregtare të shkaktojë rënien e konkurrueshmërisë evropiane, veçanërisht në sektorët me varësi të lartë nga importet e lëndëve të para.

Lëvizjet e fundit tregtare të Trump kanë shtuar tensionet mes SHBA-së dhe BE-së, në një periudhë kur marrëdhëniet transatlantike janë tashmë të brishta për shkak të mospërputhjeve në qasjet strategjike ndaj Kinës, mbrojtjes dhe ndryshimeve klimatike.

Evropa po përpiqet të bashkërendojë veprimet me aleatë të tjerë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Indonezia, për të përballuar një klimë tregtare gjithnjë e më konfrontuese që po mbështillet me rrezikshmëri globale.

tarifat shba komisioni europian

Sondazh

Poll