Aktualitet

"Drejtësi për Rebecca Gannon"/ Babai i vajzës britanike akuzon autoritetet shqiptare për zvarritjen e çështjes

Babai i Rebecca Gannon kërkon përshpejtimin e gjyqit në Sarandë

2 Prill 2025, 22:04 Nga A.Ll

"Drejtësi për Rebecca Gannon"/ Babai i vajzës britanike

TIRANË- Gjyqi për vdekjen tragjike të britanikes 29-vjeçare Rebecca Gannon gjatë një ekspedite zhytjeje në Sarandë është duke u zvarritur prej tre vitesh, duke shtuar shqetësimet dhe zhgënjimin e familjes së saj.

Babai i viktimës, George Gannon, ka dalë sot me një deklaratë të fortë, duke akuzuar drejtësinë shqiptare për vonesa të pajustifikueshme dhe mungesë vullneti për të çuar çështjen deri në fund.

“Vajza ime është vrarë” – deklaroi ai i tronditur pas seancës së sotme gjyqësore. “Në gjyqin e sotëm mungonin disa prova kyçe. Seanca e radhës është vendosur më 7 maj, kur pritet që prokuroria të sjellë dokumentet dhe provat e nevojshme. Duhet gjithashtu një ekspert për zhytjet profesionale. Nëse nuk e siguron gjykata, do ta sjell unë nga Anglia.”

George Gannon shprehet se nëse kjo tragjedi do të kishte ndodhur në Britani, gjyqi do të ishte mbyllur brenda dy ose tre muajsh, ndërsa në Shqipëri ka kaluar tashmë tre vjet pa një vendim përfundimtar. “Drejtësia këtu po zvarritet deri në harresë,” shtoi ai me zemërim.

Për vdekjen e vajzës së tij, Gannon akuzon drejtpërdrejt Saimir Kushovën, pronarin e qendrës së zhytjes “Spiranca Diving Center”, ku ndodhi tragjedia. Ai theksoi se Kushova kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes dhe nuk kishte siguruar kushtet teknike të nevojshme për një ekspeditë të tillë.

“Kushova është përgjegjës për vdekjen e vajzës sime,” deklaroi ai. “Por fajësoj edhe qeverinë shqiptare, sepse nuk ka zbatuar rregulloret e duhura. Nëse këto masa do të ishin respektuar, vajza ime sot do të ishte gjallë.”

Saimir Kushova, një emër i njohur për autoritetet, është dënuar më parë me 15 vite burg në Norvegji për trafik droge. Pavarësisht këtij fakti, në vitin 2022, Gjykata e Sarandës vendosi ta hetojë atë në gjendje të lirë duke e lënë të lirë me garanci pasurore.

George Gannon nuk ka ndërmend të ndalet. Ai ka udhëtuar nga Britania drejt Shqipërisë për të kërkuar drejtësi për të bijën dhe deklaron se do të luftojë deri në fund për të marrë një vendim të drejtë.

“Ata mund të vonojnë, por unë nuk do të ndalem. Dua drejtësi për vajzën time dhe nuk do të lejoj që kjo çështje të mbyllet në heshtje,” u shpreh ai.

Seanca e radhës më 7 maj do të jetë vendimtare për ecurinë e procesit gjyqësor, ndërsa familja Gannon vijon të kërkojë të vërtetën dhe përgjegjësinë për humbjen e jetës së Rebeccas./ Balkan Web

rebecca gannon george gannon

Sondazh

Poll