Politike

Memorandumi i sigurisë Shqipëri-Kosovë-Kroaci, Rutte nuk pranon të komentojë marrëveshjen: S’ka të bëjë me NATO-n

Rutte në një konferencë për media gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se vendet anëtare të Aleancës janë të përkushtuara sa i përket stabilitetit dhe prezencës së tyre në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.

2 Prill 2025, 18:42 Nga N.F
Memorandumi i sigurisë Shqipëri-Kosovë-Kroaci, Rutte nuk pranon
Rutte

KOSOVË- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjatë një konference sot në Bruksel, nuk ka dashur të komentojë marrëveshjen për sigurinë që u nënshkrua mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroaci. Rutte në një konferencë për media gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se vendet anëtare të Aleancës janë të përkushtuara sa i përket stabilitetit dhe prezencës së tyre në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën. Ai theksoi se mërrëveshja trepalëshe nuk ka të bëjë me NATO-n.

“(Marrëveshja) Shqipëri-Kosovë-Kroaci, kjo është jashtë – NATO nuk ka të bëjë me këtë… Por, ju lutemi, kuptoni, se unë si sekretar i përgjithshëm më duhet të përmbahem pak nga komentimi i çfarëdo zhvillimi në çdo pjesë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Iu takon individualisht vendeve aleate të vendosin. Po ka shumë këso marrëveshje dypalëshe, trepalëshe, për shembull Holanda e Belgjika bashkëpunojnë në shumë gjëra, dhe kuptohet ajo dallon nga ajo që po u adresoheni ju, por mendoj se nuk duhet të adresohem në këtë çështje”, tha ai.

Rutte ka thënë që situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme dhe se serbët duhet të punojnë për llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjska.

“Nuk e bëra një lidhje direkte (Ukrainën) me situatën në Kosovë, sepse mendoj se KFOR-i është i rëndësishëm, forcat e BE-së në Bosnje e Hercegovinë janë të rëndësishme, ato punojnë ngushtë së bashku, andaj mendoj se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të sigurohemi që stabiliteti i arritur që nga viti 1999 të vazhdojë.

Sa u përket ngjarjeve në Banjskë dhe sulmit ndaj forcave të NATO-s në vitin 2023, serbët duhet të punojnë për të mbajtur përgjegjësi. Kjo ishte tema e diskutimit tonë me presidentin (e Serbisë Aleksandar) Vuçiç në telefon, si dhe gjatë darkës që kishim në Bruksel dy javë më parë”, shtoi ai.

Memorandumi u nënshkrua më datë 18 mars ka për qëllim, promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike, ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se për një kohë të shkurtër kanë arritur të bëjnë shumë gjëra për tre shtetet. Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

rutte kosova shqiperia

Sondazh

Poll