Bota

Tarifat amerikane/ Ursula von der Leyen përdor tone të ashpra, paralajmëron kundërmasa të forta ndaj Trump

Presidentja e Komisionit Evropian deklaron se Evropa është gati të hakmerret nëse është e nevojshme

1 Prill 2025, 19:00 Nga A.Ll
Tarifat amerikane/ Ursula von der Leyen përdor tone të ashpra,
Ursula von der Leyen

BRUKSEL - Në një seancë plenare të Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen dërgoi një mesazh të prerë për Donald Trump dhe politikën e tij tregtare, në prag të vendosjes së tarifave amerikane ndaj vendeve të huaja.

“Kjo përplasje nuk është në interesin e askujt,” tha ajo, duke theksuar se marrëdhënia BE-SHBA është më e madhja dhe më e begata në botë. “Të gjithë do të përfitonim nëse do të gjenim një zgjidhje konstruktive. Megjithatë, duhet të jetë e qartë: Evropa nuk e filloi këtë luftë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por jemi të gatshëm të kundërpërgjigjemi fuqishëm nëse është e nevojshme.”

Presidentja e Komisionit Evropian paralajmëroi se BE-ja ka përgatitur kundërmasa të forta ndaj tarifave amerikane, të cilat mund të vihen menjëherë në zbatim nëse situata përshkallëzohet më tej.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se tarifat e reja amerikane do të jenë “efektive menjëherë”, sipas zëdhënëses Karoline Leavitt. Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, pavarësisht toneve të ashpra, u përpoq të zbusë deklaratat e tij duke thënë se do të ishte “dashamirës” me partnerët tregtarë. Megjithatë, ai theksoi se “detyrat e reja do t'i japin fund praktikave të padrejta.”

Pavarësisht tensioneve, mbetet e paqartë nëse të dyja palët do të arrijnë një marrëveshje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës tregtare.

ursula von der leyen parlamentit evropian donald trump tarifat

Sondazh

Poll