Aktualitet

Mbyllet muaji i madhërishëm i Ramazanit, besimtarët myslimanë kremtojnë sot Fitër Bajramin! Mijëra besimtarë falen në sheshin Skënderbej

Mëngjesin e sotëm mijëra besimtarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kryer ritet dhe për të falur Namazin.

30 Mars 2025, 07:18 Nga r.ll
Mbyllet muaji i madhërishëm i Ramazanit, besimtarët
falja ne sheshin skenderbej

TIRANË- Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin, pas mbylljes së muajit të madhërishëm të Ramazanit, një muaj agjërimi dhe sakrifice. Mëngjesin e sotëm mijëra besimtarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kryer ritet dhe faljen e madhe të namazit.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu tha gjatë fjalës së tij se sot kjo ditë i gjen të gjithë me zemra të mbushura plotë, duke theksuar se “sakrifica jonë është pranuar”.

"Sot, agimi i Fitër Bajramit na gjen me zemrat e mbushura me dritën e besimit dhe me shpresën se sakrifica jonë është pranuar nga Krijuesi ynë. Ramazani që lamë pas nuk ishte vetëm një muaj adhurimi, por një shkollë e përkushtimit, e durimit dhe e reflektimit mbi qenien tonë. Ne kemi qëndruar larg epsheve për të fituar vetëpërmbajtje. Kemi qëndruar pranë Zotit për të gjetur qetësinë. Kemi hapur duart për të dhënë, që zemrat tona të mos ngurtësohen nga indiferenca. Dhe sot, me këtë festë të bekuar, vjen edhe pyetja e madhe: Çfarë do të bëjmë tani? A do të mbetet Ramazani një kujtim, apo një udhërrëfyes për vitin që kemi përpara?

Allahu i Madhëruar na thotë në Kuran: "Dhe që të plotësoni numrin (e agjërimit) dhe që ta madhëroni Allahun për atë që ju ka udhëzuar, dhe që të falënderoni." (El-Bekare: 185) Sot, ky falënderim duhet të jetë më shumë se fjalë. Ai duhet të reflektohet në mënyrën si ndërtojmë jetën tonë, si ndërveprojmë me shoqërinë, si mbrojmë të vërtetën dhe si qëndrojmë përballë sfidave të kohës. Ne jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, ku e vërteta shpesh humbet në zhurmën e propagandës dhe ku njeriu matet me atë që ka, e jo me atë që është. Përballë kësaj, Islami nuk na mëson të tërhiqemi, por të qëndrojmë me dinjitet. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: "Më i miri prej jush është ai që është më i dobishëm për njerëzit." (Ahmedi)

Kjo do të thotë se sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për njerëz me karakter, për besimtarë që jo vetëm luten, por edhe ndërtojnë, që jo vetëm kërkojnë, por edhe japin, që nuk ndrydhen nga frika, por qëndrojnë në këmbë me të vërtetën. Në një kohë kur ndarjet mes njerëzve shtohen dhe urrejtja gjen strehë në zemrat e dobëta, Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë. Kjo ditë nuk është vetëm një festë, por një mesazh: Ne jemi një komb. Ne jemi një familje. Dhe një familje nuk e braktis njëri-tjetrin.

Sadakaja, Zekati bamirësi të tjera, që e kemi dhënë para Bajramit, është më shumë se një ndihmë për të varfërit. Ato janë një dëshmi e vërtetë e barazisë, një rikujtim se pasuria nuk është pronësi absolute, por një amanet nga Zoti. Në një botë ku pasuria është grumbulluar në duart e pak njerëzve, ndërsa shumë të tjerë vuajnë për bukën e gojës, Islami na mëson se fuqia e vërtetë nuk qëndron në atë që mbledhim, por në atë që shpërndajmë.  Nëse duam një shoqëri më të drejtë, duhet të fillojmë me drejtësinë në vetvete. Nëse duam një shoqëri më të mëshirshme, duhet të ushtrojmë mëshirën mbi njëri-tjetrin.”, tha Bujar Spahiu.

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. 

fiter bajrami

Sondazh

Poll

Aktualitet 29 Mars 2025, 16:38 Auron Tare

Një balonë për Ali Pashanë!

Foto ilustruese TIRANË - Një mëngjes i bukur, plot dritë dhe diell, i pasuar nga një erë e freskët, shihte grumbullimin ...