Politike

"Shqipëria 2030 do të ketë një prodhim të përgjithshëm prej 35 mld eurosh!" Rama: Nga 1 janari 2026, paga minimale 500 euro

Ai shtoi se  sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por qeverisja do t'u japi një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t'u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh. 

29 Mars 2025, 11:20 Nga M.B
"Shqipëria 2030 do të ketë një prodhim të
Edi Rama

TIRANA- Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit “Shqipëria 2030” ditën e sotme ka premtuar se paga minimale nga janari 2026 do të jetë 500 euro. Ai shtoi se  sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por qeverisja do t'u japi një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t'u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh. 

Rama u kërkon votën shqiptarëve për të integruar, sipas tij, Shqipërinë në BE. Ai thotë se Shqipëria 2030 do të ketë një prodhim të përgjithshëm prej 35 miliardë eurosh. 

Rama tha se kur morën detyrën, Prodhimi i Brendshëm Bruto, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, gjithçka që prodhonte Shqipëria ishte 9.6 miliardë euro, sot, sipas tij, është 25 miliardë euro. 

Pjesë nga fjala e Ramës:

Sot, borxhi publik është ulur nën 60 dhe është 55%  sot borxhi publik. Pra, sot në një borxh 55%, jemi në parametrat e një shteti normal dhe serioz në administrimin e financave të veta. Dhe nuk kemi asnjë borxh të fshehur ndaj askujt. Në raportin e fundit të Bashkimit Europian, i cili nuk bën vlerësime politike,  i cili nuk bën vlerësime elektorale, i cili nuk bën vlerësime opozitare apo qeveritare, por bën vlerësime profesionale dhe objektive,  Shqipëria cilësohet vendi me administrimin më të mirë të financave publike në rajon.  Sot, kreditë e këqija i kemi ulur nga një nivel i frikshëm, 25% ishin kredi të këqija nëpër banka, një kërcënim i drejtpërdrejtë për bankat në nivelin normal, më pak se 5%.

Të ardhurat për frymë në tre mandate i kemi trefishuar kur morëm detyrën, të ardhurat për frymë ishin 3324 euro, sot të ardhurat për frymë janë 10342 euro dhe në Shqipërinë 2030 të ardhurat për frymë do të 5-fishohen në raport me nga u nisëm dhe do të jenë 15 mijë euro. Paga mesatare në sektorin publik ishte 372 euro. Sot, në vlerësimin e fundit të pavarur të bërë nga INSTAT-i të konfirmuar nga organizatat financiare ndërkombëtare, paga mesatare për vitin 2024 në sektorin publik u mbyll 1 mijë euro, ndërsa në Shqipërinë 2030, do të jetë të paktën 1200 euro.

Pagën mesatare të përgjithshme e rritëm më shumë se 2 herë e gjysmë dhe do ta rrisim të paktën 30% më shumë. Kjo ishte paga mesatare. Kjo është paga mesatare. Paga mesatare e sektorit publik dhe privat bashkë, pra paga mesatare në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të jetë paga mesatare të paktën 1 mijë euro. Vazhdojmë me pagën minimale në vitin 2013, kur ne e morëm detyrën, paga minimale ishte 157 euro. Sot, 2024 u mbyll me pagën minimale 400 euro dhe duke filluar nga janari 2026 me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro.

Për të mbështetur punonjësit që do të përfitojnë nga kjo rritje e shpejtë e pagës minimale, sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t'u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t'u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh. Kur morëm detyrën, Prodhimi i Brendshëm Bruto, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, gjithçka që prodhonte Shqipëria ishte 9.6 miliardë euro, sot është 25 miliardë euro. E kemi rritur Prodhimin e Përgjithshëm dy herë e gjysmë. Shqipëria 2030 do të ketë një prodhim të përgjithshëm prej 35 miliardë eurosh.

edi rama

Sondazh

Poll