Bota

Përshkallëzimi i luftës tregtare për shkak të tarifave, Trump ul tonet me Kanadanë: Kam pasur një bisedë të shkëlqyer me kryeministrin Carney

Ky komunikim vjen një ditë pasi kryeministri kanadez tha se epoka e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në ka “mbaruar”, pasi shteti fqinj nuk është më një “partner i besueshëm”.

28 Mars 2025, 17:49 Nga r.ll

 

Përshkallëzimi i luftës tregtare për shkak të tarifave,
trump, carney

 

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump tha se kishte realizuar sot një bisedë konstruktive telefonike me kryeministrin kanadez Mark Carney. Trump tha gjithashtu se të dy liderët do të takohen pas zgjedhjeve parlamentare kanadeze, në komunikimin e tyre të parë që kur kryeministri i ri kanadez mori detyrën, mes përshkallëzimit të tensioneve për shkak të tarifave. 

“Ishte një komunikim jashtëzakonisht konstruktiv, ne biem dakord për shumë gjëra dhe do të takohemi menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme në Kanada për të punuar mbi politikën, biznesin dhe të gjitha çështjet e tjera”, shkroi Trump në Truth Social.

"Ky partneritet do të jetë i mrekullueshëm si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Kanadanë", shtoi ai. Ky duket të jetë një ndryshim i dukshëm në marrëdhëniet e tensionuara midis aleatëve dikur tradicionalë. Carney dhe zyra e tij nuk kanë dhënë ende një deklaratë në lidhje me këtë telefonatë.

Ky komunikim vjen një ditë pasi kryeministri kanadez tha se epoka e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në ka “mbaruar”, pasi shteti fqinj nuk është më një “partner i besueshëm”.

“Marrëdhënia e vjetër që kishim me SHBA-në, e bazuar në integrimin gjithnjë e më të thellë të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë për sigurinë dhe mbrojtjen, ka marrë fund”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Të mërkurën, Trump njoftoi vendosjen e taksës doganore 25% për automjetet e importuara. Masa iu shtua detyrimeve doganore të vendosura nga qeveria e tij për çelikun dhe aluminin. Të dy liderët nuk kishin folur që kur Carney mori detyrën si kryeministër, duke zëvendësuar Justin Trudeau, më 14 mars. Kanadaja ka qenë në një krizë të paprecedentë që kur Trump nisi një luftë tregtare kundër saj dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta kthyer Kanadanë në "shtetin e 51-të të SHBA".

donald trump mark carney kanada shba

Sondazh

Poll