Politike

26 vite nga masakra në Krushë të Madhe, Osmani merr pjesë në homazhe: Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë!

Osmani ka vizituar Kompleksin Memorial të këtij fshati në 26-vjetorin e kësaj masakre që u mori jetën 243 personave.

26 Mars 2025, 12:49 Nga N.F
26 vite nga masakra në Krushë të Madhe, Osmani merr pjesë
Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditën e sotme ka zhvilluar me homazhe për dëshmorët dhe martirët e Krushës së Madhe. Osmani ka vizituar Kompleksin Memorial të këtij fshati në 26-vjetorin e kësaj masakre që u mori jetën 243 personave. Osmanin e shoqëronte edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ajo gjatë fjalës së saj u betua se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë e krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar.

“Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe aty ku dhembja  është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie, në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh ky fshat u godit nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra e djem u masakruan mes tyre 7 fëmijë e 5 gra përfshirë edhe një grua shtatzënë,” tha presidentja.

Pas 26 vitesh ende 64 persona figurojnë të zhdukur. Osmani tha se kjo është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale sepse familjet e viktimave jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë. 

“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është  një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë, e sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe, është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë.

Sot para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, tha ajo.

osmani 26 vite nga masakra në krushë të madhe

Sondazh

Poll