Bota

Aksident i rëndë në Meksikë/ Kamionçina bie në luginë, 12 persona humbin jetën, 4 mbeten të plagosur

Automjeti me 16 pasagjerë ra nga një lartësi prej më shumë se 120 metrash në një zonë malore në shtetin e Nuevo Leon, pranë komunës së Santiagos, shpjegoi zyrtari lokal Eric Cavazo.

24 Mars 2025, 07:21 Nga r.ll
Aksident i rëndë në Meksikë/ Kamionçina bie në
foto ilustruese

MEKSIKË- Një kamionçinë ra në një luginë, duke vrarë 12 persona dhe duke plagosur katër të tjerë në veri të Meksikës të dielën, thanë autoritetet.

Automjeti me 16 pasagjerë ra nga një lartësi prej më shumë se 120 metrash në një zonë malore në shtetin e Nuevo Leon, pranë komunës së Santiagos, shpjegoi zyrtari lokal Eric Cavazo. Dymbëdhjetë vdiqën në vend, katër të tjerë u dërguan në spital ku ata ende po trajtohen.

Presidenti i këshillit të qytetit të Santiago, David de la Peña, vlerësoi se aksidenti ka të ngjarë të ketë ndodhur për shkak të një problemi mekanik, pasi nuk u gjetën shenja frenimi në rrugë. Aksidenti ka shkaktuar zjarr në një zonë pyjore, i cili sipas autoriteteve është shuar.

Aksidentet e trafikut janë të shpeshta në Meksikë, për shkak të gjendjes së keqe të rrjetit rrugor dhe numrit të madh të automjeteve, si dhe shoferëve me shpejtësi. Më 11 mars, 32 persona humbën jetën në dy aksidente trafiku me autobusë në veri dhe jug të vendit. Muajin e kaluar, 38 persona humbën jetën tragjikisht në një përplasje mes një kamioni dhe një autobusi pasagjerësh në një rajon juglindor.

Aksidentet me kamionët që transportojnë mallra janë shumëfishuar vitet e fundit, shkak besohet të jetë gjendja e tyre e keqe, lodhja apo mosvëmendja e drejtuesve të tyre. Qytetarët po mobilizohen duke kërkuar që të ndalohet qarkullimi i kamionëve me rimorkio të dyfishta dhe të vendosen sanksione të rrepta ndaj kompanive që nuk mirëmbajnë siç duhet parkun e automjeteve.

aksident ne meksike

Sondazh

Poll