Bota

Biseda e parë pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë, Zelenskyy dhe Trump bisedë telefonike

Biseda telefonike do të jetë kontakti i parë i drejtpërdrejtë i Zelenskyyt dhe Trump që nga përplasja e tyre në Zyrën Ovale në fund të muajit të kaluar.

19 Mars 2025, 15:47 Nga E. D
Biseda e parë pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë,
Donald Trumpdhe Volodymyr Zelenskyy

SHBA-Një bisedë telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky është duke u zhvilluar. Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, Donald Trump po flet me presidentin ukrainas nga Zyra Ovale. Biseda telefonike është kontakti i parë i drejtpërdrejtë i Zelenskyyt dhe Trump që nga përplasja e tyre në Zyrën Ovale në fund të muajit të kaluar.

Gjithashtu kjo bisedë telefonike vjen dhe një ditë pas telefonatës rreth 2-orëshe të presidentit amerikan me homologun e tij rus Vladimir Putin mbi masat për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë. Volodymyr Zelensky njoftoi se do të fliste me presidentin amerikan sot, një ditë pas bisedës telefonike Trump-Putin, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin finlandez Alexander Stubbs në Helsinki.

Sot do të kontaktoj presidentin Trump dhe do të diskutojmë hapat e ardhshëm. Nuk besoj se duhet të pranojmë lëshimin më të vogël për çështjen e ndihmës për Ukrainën, por përkundrazi, ndihma për Ukrainën duhet të forcohet”, tha presidenti ukrainas.

Dje, Kremlini njoftoi se Putini kishte pranuar një armëpushim tridhjetëditor të kufizuar në sulme ndaj infrastrukturës energjetike, ndërsa Trump bëri thirrje për një armëpushim të përgjithshëm, duke ushtruar presion të fortë ndaj Kievit për ta pranuar atë. Gjithashtu, Vladimir Putin i kërkoi Donald Trump përfundimin e plotë të ndihmës së huaj ushtarake dhe të inteligjencës për Kievin.  

Në të njëjtën kohë, Rusia dhe Ukraina vazhduan sot një shkëmbim të robërve të luftës, pas marrëveshjes së djeshme Trump-Putin, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes. Në një deklaratë, Moska tha se 175 ushtarë ukrainas u shkëmbyen me 175 ushtarë rusë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi shkëmbimin.

Moska gjithashtu dorëzoi 22 të burgosur ukrainas të plagosur rëndë që kanë nevojë për trajtim urgjent mjekësor në atë që e përshkroi si një gjest vullneti të mirë. Emiratet e Bashkuara Arabe kishin ndërmjetësuar këtë marrëveshje, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes. Ushtarët rusë të liruar sipas marrëveshjes janë në Bjellorusi në pritje të kalimit në Rusi. 

 volodymyr zelenskyy donald trump

Sondazh

Poll