Bota

"Vrasja e të rinjve është vrasja e së ardhmes"/ Protesta në Maqedoninë e Veriut, qytetarët: Nuk vdesim nga aksidentet, vdesim nga korrupsioni

Duke u nisur nga ndërtesa e komunës drejt stacionit policor, një pjesë e qytetarëve hodhën gurë drejt kafenesë "Klasik", e cila është në pronësi të të njëjtit person që ka në pronësi edhe klubin e natës "Puls".

17 Mars 2025, 18:58 Nga E. D
"Vrasja e të rinjve është vrasja e së ardhmes"/
pamje nga vendngjarja

MAQEDONI E VERIUT- Qindra qytetarë në Koçan të Maqedonisë së Veriut protestuan më 17 mars për të shprehur revoltën e tyre dhe për të kërkuar drejtësi pas zjarrit në klubin e natës "Puls" në Koçan, ku më 16 mars humbën jetën 59 persona, shumica prej tyre të rinj. Duke u nisur nga ndërtesa e komunës drejt stacionit policor, një pjesë e qytetarëve hodhën gurë drejt kafenesë "Klasik", e cila është në pronësi të të njëjtit person që ka në pronësi edhe klubin e natës "Puls".

Protestuesit po ashtu hodhën gurë dhe vezë në drejtim të komunës, duke kërkuar nga kryetari i komunës, Ljupço Papazov i cili më 17 mars dha dorëheqje të parevokueshme të dilte që të përballej me ta.

Kjo humbje është e jashtëzakonshme. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. I njihja shumicën prej tyre, i njihja edhe familjet e tyre, me disa prej tyre ishim edhe miq familjarë. Shoku dhe thyerja që ndiej do të më shoqërojnë për gjithë jetën. Kjo tragjedi e ka zhytur Koçanin dhe Maqedoninë [e Veriut] në zi, ndërsa boshllëku që ka lënë është i pakalueshëm”, shkroi Papazov në Facebook.

Ai kërkoi që autoritetet të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me ta. Ndërkaq, gjatë ditës, qytetarët bënë homazhe për viktimat në parkun e qytetit të Koçanit, ndërsa teksa ecnin nëpër rrugë brohorisnin “vrasës, vrasës, secili prej nesh mund të jetë i radhës, ejani rini, ngrini zërin”.

Në disa nga pankartat e tyre shkruhej: “Vrasja e të rinjve është vrasja e së ardhmes” dhe “Nuk vdesim nga aksidentet, vdesim nga korrupsioni”.

Në total, 59 persona humbën jetën në zjarrin e klubit të natës "Puls" në Koçan dhe të paktën 155 të tjerë u plagosën. Për këtë ngjarje janë të dyshuar 23 persona, ndërsa 11 prej tyre ndodhen në paraburgim, teksa autoritetet kanë thënë se po vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje. Pas zjarrit vdekjeprurës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të dielën shtatë ditë zie.

tragjedia ne kocan

Sondazh

Poll