Bota

"Fëmijët 1-vjeçarë, të mbijetuarit më të vegjël të përdhunimit", UNICEF: Dhuna seksuale po përdoret si armë në luftën civile në Sudan

Katër njëvjeçarë ishin në mesin e atyre që i mbijetuan sulmeve seksuale, ndërsa 12 të mbijetuar të tjerë ishin fëmijë nën moshën 5 vjeç, sipas raportit. Nga të mbijetuarit e përdhunimit, 66% janë vajza dhe 33% janë djem.

14 Mars 2025, 08:45 Nga N.F
"Fëmijët 1-vjeçarë, të mbijetuarit më
Foto ilustruese

SUDAN- Forcat e armatosura në luftën e vazhdueshme civile të Sudanit janë duke ushtruar dhunë seksuale sistematike ndaj fëmijëve të vegjël, ku fëmijët njëvjeçar janë të mbijetuarit më të vegjël të përdhunimit. Sipas një raporti të ri nga UNICEF të paktën 221 raste të përdhunimit të fëmijëve ishin regjistruar që nga fillimi i vitit 2024, së bashku me 77 raste të tjera të raportuara të sulmeve seksuale ndaj fëmijëve.

Katër njëvjeçarë ishin në mesin e atyre që i mbijetuan sulmeve seksuale, ndërsa 12 të mbijetuar të tjerë ishin fëmijë nën moshën 5 vjeç, sipas raportit. Nga të mbijetuarit e përdhunimit, 66% janë vajza dhe 33% janë djem.

Të dhënat përfaqësojnë vetëm një "pjesë të vogël" të rasteve totale të përdhunimeve të fëmijëve, tha UNICEF, duke vënë në dukje se të mbijetuarit, familjet e tyre dhe madje edhe punëtorët e vijës së parë shpesh nuk janë të gatshëm të raportojnë krimet për shkak të sfidave rreth aksesit në shërbime, stigmave kulturore dhe frikës së ndëshkimit nga grupet e armatosura.

Raporti, i cili detajonte rrëfime të dhunës seksuale ndaj fëmijëve nga dhjetori 2024 dhe janari 2025, zbuloi se fëmijët u abuzuan seksualisht gjatë pushtimeve të qyteteve, ndërsa iknin nga rreziku, ndërsa mbaheshin kundër vullnetit të tyre dhe ndonjëherë në këmbim të ushqimit ose furnizimeve të tjera thelbësore.

Një e mbijetuar e përdhunimit, një grua që kërkoi të quhej Omnia, i tha UNICEF-it se ishte ndaluar nga njerëz të armatosur për 19 ditë. Ajo tha se dëgjonte vajza të reja të përdhunoheshin çdo natë.

“Pas orës nëntë të natës, dikush hap derën, duke mbajtur një kamxhik, zgjedh një nga vajzat dhe e çon në një dhomë tjetër. Mund të dëgjoja vajzën e vogël duke qarë dhe duke bërtitur. E përdhunonin… Ajo është ende një fëmijë i vogël. Ato i lëshojnë këto vajza vetëm në agim dhe ato kthehen pothuajse pa ndjenja”, tha Omnia.

Raporti vuri në dukje se dhuna nuk kufizohet vetëm në një pjesë të Sudanit dhe se raste të përdhunimit të fëmijëve u raportuan në nëntë shtete në të gjithë vendin. SAF kontrollon pjesët lindore dhe veriore të vendit, sipas qeverisë britanike , ndërsa RSF kontrollon Sudanin perëndimor, jugor dhe qendror – duke përfshirë rajonin e Darfurit.

unicef sudan dhune seksuale

Sondazh

Poll