Bota

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, rreth gjysma – apo 69 miliardë dollarë – e ndihmave ushtarake prej 139 miliardë dollarësh është dhënë nga SHBA-ja, dukshëm vendi më ndihmues.

10 Mars 2025, 07:31 Nga N.F
Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra
Foto ilustruese

UKRAINË- Ukraina ka marrë ndihma në vlerë prej 287 miliardë dollarësh që nga janari i vitit 2022, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë nxituan të dërgonin pajisje për të ndihmuar në parandalimin e një pushtimi nga ushtria e Rusisë, e cila qëndronte në gatishmëri për të sulmuar përgjatë kufijve të Ukrainës.

Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, rreth gjysma – apo 69 miliardë dollarë – e ndihmave ushtarake prej 139 miliardë dollarësh është dhënë nga SHBA-ja, dukshëm vendi më ndihmues. Kjo ndihmë tani është ngrirë, pas përplasjes së javës së kaluar ndërmjet presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Kjo nuk është hera e parë që është ndalur ndihma ushtarake amerikane për vendin e dërrmuar nga lufta. Dërgesat e pajisjeve amerikane ngecën në fillim të vitit 2024, teksa në Kongres pati përplasje për një pako shpenzimesh, e cila u miratua në fund, në prillin e kaluar.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Kjo ndërprerje dërgesash korrespondoi me një prej fitoreve të fundit të rëndësishme të Rusisë në fushëbetejë – pushtimin e Avdijivkës, në shkurtin e vitit 2024. Marrja nën kontroll e periferisë tejet të fortifikuar të Donjeckut, një qytezë në vijën e frontit që nga viti 2014, i hapi derën Rusisë për të përparuar rreth 50 kilometra më thellë në perëndim gjatë vitit të kaluar, duke arritur afër Pokrovskut, një qendër e rëndësishme logjistike dhe ndoshta një prej pengesave të fundit të mëdha në rrugën drejt lumit Dnjepër.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Çfarë do të thotë ngrirja e ndihmave për frontin?

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ngrirja e ndihmave do të zgjasë derisa Zelensky të zotohet për bisedime për paqe. Ushtarët në vijat e frontit të Ukrainës nuk pritet ta ndiejnë efektin e saj menjëherë. Yuri Fedorov, analist i pavarur ushtarak rus, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumica e ekspertëve pajtohen se Ukraina do të mund ta mbante intensitetin aktual të operacioneve për rreth gjashtë muaj.

Anëtarët evropianë të NATO-s kanë mundësuar shumicën e pjesës tjetër të ndihmave që i ka marrë Ukraina, dhe ata me gjasë do të përpiqen të rrisin ndihmat për të kompensuar mungesën e asistencës amerikane – aq sa të munden. Më pak se një ditë pas njoftimit për pezullimin e ndihmave, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi një plan për të rritur shpenzimet për mbrojtje për 800 miliardë euro, përfshirë 150 miliardë në kredi që vendet e Bashkimit Evropian mund t’i përdorin për të “rritur në mënyrë masive mbështetjen e tyre për Ukrainën” në formën e furnizimeve të menjëhershme me pajisje ushtarake.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Disa lloje pajisjesh, si tanket, janë mundësuar më shumë nga Evropa sesa nga SHBA-ja, teksa vende si Polonia i kanë dhënë Ukrainës rezervat e tyre të kohës së Luftës së Ftohtë dhe i kanë zëvendësuar ato me makineri moderne nga SHBA-ja apo vendet e tjera. Ukraina, po ashtu, mund t’i përmbushë disa prej nevojave të saj vetë – dronët e pajisur me mjete shpërthyese, që tani shkaktojnë deri në 80 për qind të viktimave, sipas komandantëve ukrainas – prodhohen kryesisht brenda vendit.

Megjithatë, në fusha të tjera, sikurse municionet precize për sistemet e artilerisë HIMARS, Ukraina varet shumë nga dërgesat nga SHBA-ja, ndërsa vija e frontit me shumë gjasë do të lëvizë më në perëndim nëse lufta vazhdon, me Evropën që pritet të marrë përgjegjësinë për furnizimet me armë.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Sa është e kushtueshme ndihma për Ukrainën?

Sipas shifrave të nxjerra nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, kostoja e ndihmave ushtarake amerikane për Ukrainën është e krahasueshme me koston e përvitshme mesatare të luftës në Afganistan për SHBA-në – 0.2 për qind, përkatësisht 0.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Kjo nuk përfshin edhe rreth 50 miliardë dollarë të tjerë që SHBA-ja ka shpenzuar për ndihma financiare dhe humanitare për Ukrainën.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Nëse programi i BE-së për rritjen e mbrojtjes, i paralajmëruar nga Von der Leyen, arrin 800 miliardë dollarë, ai do të jetë gati po aq i kushtueshëm sa fondi për rimëkëmbje nga pandemia – dhe gjashtëfish më shumë se sa ka shpenzuar BE-ja në ndihma për Ukrainën deri më tani.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Administrata Trump synon të kompensojë paratë e shpenzuara për ndihma përmes një marrëveshjeje që do t’i jepte SHBA-së qasje në resurset minerare të Ukrainës, të cilën Zelensky pritej ta nënshkruante në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar – para se takimi të përfundonte me një përplasje. Përderisa zyrtarë ukrainas thonë se janë ende të gatshëm ta nënshkruajnë marrëveshjen, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se ajo nuk është aktualisht në tavolinë, dhe se është “e pamundshme të arrihet një marrëveshje ekonomike pa një marrëveshje për paqe”.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën, në shifra

Se si do të dukej një marrëveshje e mundshme për paqe mbetet e paqartë. Udhëheqës evropianë janë zotuar fundjavën e kaluar se do ta hartojnë një të tillë dhe do t’ia paraqesin atë SHBA-së, përderisa zëdhënësi zyrtar i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, ka thënë së voni se rajonet e Ukrainës që Rusia i ka aneksuar – pavarësisht se nuk kontrollon shumicën e rajoneve të Hersonit, Zaporizhjës apo të Donjeckut – janë “pjesë integrale” të vendit dhe nuk mund të jenë pjesë e diskutimeve./REL

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll