Aktualitet

Paguhet dhe kur nuk është në punë, ja kush është dekani turist i Universitetit të Sporteve

Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e Piranjave, dekani nuk paraqitet gjithmonë në punë, sepse një pjesë të mirë të kohës është jashtë shtetit, por paguhet edhe për ditët që nuk shkon në fakultet.

7 Mars 2025, 22:33 Nga N.F
Paguhet dhe kur nuk është në punë, ja kush është
Robert Çina

TIRANË- Universiteti i Sporteve është i organizuar në tre fakultete: ai i Shkencave të Lëvizjes, i Veprimtarisë Fizike dhe Rekracionit, i Shkencave të Rehabilitimit, si dhe një Institut i Kërkimeve Shkencore të Sportit. Ky i fundit drejtohet nga dekani Robert Çina. Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e Piranjave, dekani nuk paraqitet gjithmonë në punë, sepse një pjesë të mirë të kohës është jashtë shtetit, por paguhet edhe për ditët që nuk shkon në fakultet.

Nga hyrje/daljet në sistemin Tims, shihet se zoti Çina udhëton çdo muaj. Nëse marrim si referencë vitin e plotë 2023, rezulton se zoti Çina ka qenë jashtë shtetit për 86 ditë. Nga këto 29 ditë kanë qenë fundjava. Ndërsa prej 57 ditëve të tjera, asnjëra nuk përkon me ditët e festave zyrtare. Pra, kanë qenë ditë normale pune. Duke iu referuar listë prezencës së janarit 2023, zoti Çina ka qenë i pranishëm për 18 ditë pune dhe 4 ditë ka qenë me leje vjetore dimërore.

Që do të thotë se dekani është paguar për 22 ditë. Ndërkohë sipas sistemit Tims në janar 2023, Robert Çina ka qenë jashtë shtetit për 13 ditë, prej tyre 9 ditë kanë qenë ditë jave. Nëse do të supozonim se nga këto 9 ditë dekani ka marrë 4 ditët e lejes vjetore, do të thotë se 5 ditë jave që ka qenë jashtë shtetit janë të pajustifikuara, ndërkohë që zoti Çina është paguar edhe për to sipas listë prezencës.

Duke vazhduar më tej në shkurt të 2023, Robert Çina ka pasur 15 ditë pune dhe 7 ditë leje vjetore të mbetura nga 2022. Në shkurt ai ka qenë jashtë shtetit për 15 ditë, nga të cilat 10 ditë kanë qenë ditë jave. Nëse përjashtojmë 7 ditëshin e lejeve vjetore, do të thotë se 3 ditë janë të pajustifikuara, ndërkohë që sipas listë prezencës ai ka qenë I pranishëm në fakultet.

Ndërkohë në maj të 2023, sipas listë prezencës, Robert Çina ka 22 ditë pune dhe nuk ka asnjë leje vjetore, mungesë apo raport. Por nga sistemi tims rezulton se dekani ka udhëtuar jashtë shtetit për 9 ditë gjatë këtij muaji dhe prej tyre 6 ditë kanë qenë ditë jave, që rrjedhimisht duhet të jenë ditë pune. Si mund të ketë qenë 6 ditë prezent në punë zoti Çina teksa ka qenë jashtë Shqipërisë?

E njëjta situatë qëndron edhe për muajt e tjerë të vitit 2023, por duke variuar me numër ditësh të ndryshme. Por në fakt sasia nuk është e rëndësishme, për sa kohë shkelja është kryer, qoftë për 1, 2 apo edhe 6 ditë. 

Dekani për Piranjat nuk dha asnjë përgjigje konkrete, por tha se ka udhëtuar fundjavave dhe për punë të universitetit. Ndërsa, rektori Agron Kasa u shpreh se nuk ka dijeni për këto lëvizje të shpeshta të dekanit dhe se në momentin që do të ketë një indicie zyrtare do të nisë një proces hetimi.

robert Çina

Sondazh

Poll