Bota

Pezullimet e SHBA-ve ndaj Kievit/ Franca i ofron Ukrainës informacione të inteligjencës

SHBA-ja tha të mërkurën se e ka pezulluar ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën, duke e ndërprerë ofrimin e të dhënave jetike që kanë ndihmuar atë ta shënjestrojë pushtuesin rus. Megjithatë, zyrtarë të administratës Trump kanë thënë se bisedimet pozitive mes Uashingtonit dhe Kievit nënkuptojnë se pezullimi mund të jetë i shkurtër.

6 Mars 2025, 11:59 Nga M.B
Pezullimet e SHBA-ve ndaj Kievit/ Franca i ofron Ukrainës informacione
Shefi i CIA-s, John Ratcliffe, gjatë seancës për konfirmimin e tij në këtë post. 15 janar 2025.

PARIS- Franca është duke i dhënë Ukrainës informata të inteligjencës ushtarake, pasi Uashingtoni njoftoi pezullimin e ndarjes së informatave të tilla me Kievin, tha të enjten ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu. SHBA-ja tha të mërkurën se e ka pezulluar ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën, duke e ndërprerë ofrimin e të dhënave jetike që kanë ndihmuar atë ta shënjestrojë pushtuesin rus.

Megjithatë, zyrtarë të administratës Trump kanë thënë se bisedimet pozitive mes Uashingtonit dhe Kievit nënkuptojnë se pezullimi mund të jetë i shkurtër. Informatat e inteligjencës amerikane janë jetike për Ukrainën në përpjekjet e saj për t’i gjurmuar lëvizjet e trupave ruse dhe për t’i zgjedhur objektivat. Duke folur për radion Inter të enjten, Lecornu tha se Franca po vazhdon ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën.

“Informatat tona të inteligjencës janë sovrane. Ukraina mund të përfitojë nga informatat e inteligjencës sonë”, shtoi ai.

SHBA-ja e mori vendimin pas përkeqësimit dramatik të raporteve mes Kievit dhe Uashingtonit. Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, u përplasën në Zyrën Ovale javën e kaluar dhe pas kësaj, SHBA-ja njoftoi se ka pezulluar ndihmën thelbësore ushtarake për Ukrainën. Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, konfirmoi të mërkurën se ndarja e inteligjencës është ngrirë, teksa Ukraina po vazhdon të luftojë kundër pushtimit që Rusia ka nisur më 2022.

“Presidenti Trump kishte një pyetje të vërtetë nëse presidenti Zelensky ishte i angazhuar për procesin e paqes”, tha Ratcliffe për Fox News.

Ratcliffe tha se pezullimi “në frontin ushtarak dhe në frontin e inteligjencës” është i përkohshëm dhe SHBA-ja do të punojë sërish “krah për krah me Ukrainën”. Të martën, Trump deklaroi se Zelensky i tha se Kievi ishte i gatshëm për bisedime me Moskën dhe për finalizimin e marrëveshjes për minerale me SHBA-në, teksa Ukraina po tenton që të tejkalojë përplasjen në Zyrën Ovale.

Zelensky ka tentuar që të përmirësojë raportin me Trumpin, duke shkruar në rrjetet sociale se ishte për “keqardhje” përplasja e tij me udhëheqësin amerikan e duke shtuar se dëshiron që të përmirësojë situatën. Në adresimin e tij në Kongresin amerikan të martën, Trump e lexoi letrën e Zelenskyt.

“Në letër thuhet ‘Ukraina është e gatshme të vijnë në tavolinën e negociatave sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë më afër paqen e qëndrueshme. Askush nuk e do më shumë paqen sesa ukrainasit’”, tha Trump para ligjvënësve amerikanë./ REL

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll