Politike

Deklarata e fortë e gazetarit në Kongresin Amerikan: Paratë e USAID u përdorën për të persekutuar liderin e opozitës, Sali Berisha!

Gazetari investigativ Tyler O’Neil deklaroi se një institut i financuar nga USAID (East West Management Institute) ka bashkëpunuar me organizatën e Sorosit, “Shoqëria e Hapur” për reformën në drejtësi në Shqipëri, e cila sipas tij, kritikët pretendojnë se rezultoi me persekutimin e liderit të opozitës, Sali Berisha, për t’i mbyllur gojën.

26 Shkurt 2025, 20:18 Nga Dosja
Deklarata e fortë e gazetarit në Kongresin Amerikan: Paratë e
Kongresi

SHBA - Gazetari investigativ i "The Daily Signal", Tyler O’Neil, ka bërë një deklaratë të fortë këtë të mërkurë në komisionin e posaçëm amerikan për efikasitetin në qeverisje, i ngritur nga agjencia e Elon Musk, DOGE, e cila është pjesë e Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reformimin e Qeverisjes.

Në seancën e titulluar “Amerika e fundit: Si ndihma e huaj minoi interesat e SHBA në mbarë botën”, është diskutuar mbi abuzimet me fondet e taksapaguesve amerikanë nga organizata USAID.

Gjatë fjalës së tij, gazetari investigativ Tyler O’Neil deklaroi se një institut i financuar nga USAID (East West Management Institute) ka bashkëpunuar me organizatën e Sorosit, “Shoqëria e Hapur” për reformën në drejtësi në Shqipëri, e cila sipas tij, kritikët pretendojnë se rezultoi me persekutimin e liderit të opozitës, Sali Berisha, për t’i mbyllur gojën.

“Fondacionet e Shoqërisë së Hapur dhe USAID kanë bashkëpunuar gjithashtu në mbështetjen e ‘East West Management Institute’, i cili mori 31.2 milionë dollarë nga USAID në vitin e fundit të plotë fiskal që përfundon më 30 shtator. Instituti nisi ndryshimet gjyqësore në Shqipëri, që kritikët pretendojnë se rezultuan në persekutimin e liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha, duke i mbyllur gojën kundërshtarit të kryeministrit socialist të vendit,” tha gazetari i ‘The Daily Signal’.

 

Në Institutin ‘East West Management’ të përmendur nga gazetari është e punësuar dhe Delina Fico, si Drejtuesja e Programeve të Shoqërisë Civile. Fico është akuzuar ditë më parë edhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha për përvetësim të fondeve të USAID për të ndikuar reformën në sistemin e drejtësisë dhe për të goditur opozitën. 

Në vijim të këtij raportimi, një tjetër përfaqësues në takim shtroi pyetjen: “Pse USAID është i përfshirë në financimin e ndryshimeve gjyqësore në Shqipëri, që rezultuan në burgosjen e liderit të opozitës në Shqipëri?”

USAID-i është agjencia kryesore e Qeverisë amerikane për administrim të ndihmës civile dhe asistencës zhvillimore në botë. Organizata ka qenë prezente në mbi 100 shtete, duke ndarë fonde në vlerë të miliarda dollarëve brenda vitit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Administrata Trump i ka kritikuar programet e USAID-it si joefikase dhe aspak në linjë me interesat amerikane, duke bllokuar kështu fondet e kësaj organizate dhe duke argumentuar se disa prej funksioneve të agjencisë do të menaxhohen prej Departamentit amerikan të Shtetit.

 

usa-id sali berisha

Sondazh

Poll