Aktualitet

Tragjedia në Kosovë/ Dalin pamjet e shembjes së objektit që zuri poshtë të miturit, flet familjari i tyre: I kemi gjetur pas katër orësh nën rrënoja

Policia tha në raportin 24-orësh se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë, dy prej tyre 15 vjeç dhe tjetri 14 vjeç, ishin brenda kur u zunë nga pllaka.

2 Shkurt 2025, 11:37 Nga r.ll
Tragjedia në Kosovë/ Dalin pamjet e shembjes së objektit që
pamje nga banesa e shembur

KOSOVË- Kosova është tronditur nga vdekja e tre të miturve të cilët humbën jetën nga shembja e një objekti të pabanuar në Jabllanicë të Gjakovës. 

Mediat në Kosovë kanë publikuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, ku shihet momenti i shembjes së objektit të pabanuar. Nga këto pamje shihet se shembja e objektit ka ndodhur rreth orës 16:35, ndërsa trupat e të miturve janë gjetur në rrënoja pas rreth katër orëve.

Këtë e konfirmoi edhe Përparim Ademaj, familjar i tre fëmijëve, i cili tha se trupat e pajetë i gjetën pas rreth katër orësh kërkim.

“Kjo tragjedi ka ndodhë në këtë objekt të pabanueshëm. Rreth orës 10 e gjysmë në mbrëmje. Më herët kanë dalë si rinia tu lujtë, shokë”, tha ai për mediat në Kosovë.

”Në telefon më thanë se s’janë lajmëruar nga ora 16:00”, tregon ai, ndërsa kujton momentin kur bashkë me prindërit e fëmijëve shkuan në vendngjarje.

”T’u fol me ta e pamë një objekt që është shemb. Duke i thirr në telefon, i kemi dëgju telefonat duke ju dridh ndër plloçë”, shton më tej.

Banorët e fshatit u bashkuan në përpjekje për të shpëtuar fëmijët, por gjithçka ishte e kotë. "Kemi thirr kojshitë dhe me një traktor duke i hequr pjesë-pjesë, i kemi nxjerrë pa shenja jete”, tha Ademaj.

Policia tha në raportin 24-orësh se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë, dy prej tyre 15 vjeç dhe tjetri 14 vjeç, ishin brenda kur u zunë nga pllaka.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Jabllanicë, Gjakovë 01.02.2025-23:00. Raportohet se në rrethana të panjohura është shembur një objekt, dhe si pasoj tre viktimat meshkuj kosovarë të mitur të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në raportin policor.

Oficeri i i Policisë, Milazim Lumi tha se objekti kishte mbetur i pabanuar që prej luftës më 1999. Lidhur me këtë rast tragjik kanë reaguar krerët e institucioneve dhe partive politike, duke kërkuar hetim të plotë.

vdekje ne kosove

Sondazh

Poll