Ekonomi

Vlerësimi i FMN: Niveli ekuilibër i normës bazë mund të jetë midis 3.5% dhe 3.75%

Norma bazë e interesit aktualisht është në nivelin 2.75%, pas dy uljeve të aplikuara përkatësisht në korrik dhe në nëntor të vitit të kaluar. Inflacioni e mbylli vitin e kaluar në nivelin 2.1%, në rënie për të dytin vit radhazi.

31 Janar 2025, 12:49 Nga N.F

Vlerësimi i FMN: Niveli ekuilibër i normës bazë mund të

TIRANË- Sipas një vlerësimi të ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), norma aktuale neutrale e interesit për Shqipërinë është në nivelin 0.6%, nga një nivel mesatar prej -0.3% që kishte qenë në periudhën 2008-2024. Norma neutrale ose ekuilibër vlerësohet ai nivel ku normat e interesit nuk e ndikojnë në ulje apo në rritje lëvizjen e inflacionit në ekonomi.

Megjithatë, duke patur parasysh se Banka e Shqipërisë ka një objektiv inflacioni prej 3%, atëherë niveli neutral i normës bazë të interesit mund të vlerësohet pranë nivelit të 3.6%. Kjo nënkupton se aktualisht politika monetare e Bankës së Shqipërisë ndodhet në territor stimulues.

Norma bazë e interesit aktualisht është në nivelin 2.75%, pas dy uljeve të aplikuara përkatësisht në korrik dhe në nëntor të vitit të kaluar. Inflacioni e mbylli vitin e kaluar në nivelin 2.1%, në rënie për të dytin vit radhazi.

Megjithatë, në muajt e fundit ka disa sinjale të para të rritjes të elementëve më të qëndrueshëm të inflacionit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë për dhjetorin arriti në 2.5%, nga 2.34% që kishte për nëntorin.

Niveli i dhjetorit ishte njëkohësisht më i larti që prej muajit mars 2024. Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Ai përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Në veçanti, inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të inflacionit pranë objektivit për vitin 2025, pas rënies së tij në pjesën e parë të vitit të kaluar, kryesisht për shkak të rënies së inflacionit në ekonomitë partnere dhe forcimit të mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor. Pas mbledhjes së dhjetorit 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti 2025.

Megjithatë, në rast se forcimi i lekut në kursin e këmbimit do të frenohet dhe inflacioni do të lëvizë drejt objektivit prej 3%, në teori norma bazë e interesit duhet të lëvizë drejt nivelit ekuilibër, që sipas vlerësimeve teorike të FMN-së, është në intervalin midis 3.5% dhe 3.75%./ Monitor

fmn norma baze bsh

Sondazh

Poll