Ekonomi

Blerjet e valutës nga bankat kthejnë euron sipër 100 lekëve

Kjo është hera e parë që nga fundi i muajit gusht që euro kthehet sipër nivelit të 100 lekëve. Sipas burimeve nga tregu valutor, arsyeja kryesore që ka sjellë rritjen e fortë të euros në ditët e fundit janë blerjet në shuma të mëdha nga Banka OTP Albania. Burimet besojnë se blerjet lidhen me konvertimin në euro të fitimit të vitit të kaluar për bankën me kapital hungarez.

30 Janar 2025, 15:06 Nga I.A
Blerjet e valutës nga bankat kthejnë euron sipër 100 lekëve
Euro

TIRANË- Euro ka vijuar rritjen në kursin e këmbimit me lekun edhe ditën e enjte. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 100.06 lekë, në rritje të mëtejshme me 0.35 lekë krahasuar me ditën e mërkurë. Në harkun e një jave, euro është rritur me më shumë se 1.8 lekë ose afërsisht 1.9%.

Kjo është hera e parë që nga fundi i muajit gusht që euro kthehet sipër nivelit të 100 lekëve. Sipas burimeve nga tregu valutor, arsyeja kryesore që ka sjellë rritjen e fortë të euros në ditët e fundit janë blerjet në shuma të mëdha nga Banka OTP Albania. Burimet besojnë se blerjet lidhen me konvertimin në euro të fitimit të vitit të kaluar për bankën me kapital hungarez.

Sipas të dhënave paraprake, OTP Albania ka raportuar një fitim rekord prej 54 milionë eurosh, sipas standardeve lokale të raportimit, të kërkuara nga Banka e Shqipërisë. Fitimi i OTP rezulton në rritje me 86% krahasuar me vitin 2023.

Shifrat sipas standardeve bazë ligjore të raportimit IFRS nuk janë ende të dispnueshme. Megjithatë, nga këndvështrimi i bankave fitimi me standardet lokale në përgjithësi është më i rëndësishme, sepse llogaritja e nevojave rregullatore për kapital dhe shpërndarja e dividendëve bëhet pikërisht bazuar mbi standardet lokale të Bankës së Shqipërisë.

Banka OTP Albania është ndër bankat që nuk kanë shpërndarë dividend në vitet e fundit, pavarësisht rezultateve të larta financiare. Sipas pasqyrave të audituara financiare (në këtë rast sipas standardit ligjor IFRS), në fund të vitit 2023 OTP Albania raportonte rreth 8.5 miliardë lekë fitime të pashpërndara.

Megjithatë, konvertimi i fitimit në euro nuk nënkupton domosdoshmërisht qëllimin për të shpërndarë dividend, por mund të jetë e lidhur me nevojat e brendshme të menaxhimit të likuiditetit të bankës.

Ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme, operacionet e shitjes ose blerjes së valutës nga bankat tregtare mund të sjellin luhatje afatshkurtra në kursin e këmbimit.

Për shkak të përmasave relativisht të vogla, tregu valutor shqiptar rezulton i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj operacioneve të shitblerjes në shuma të mëdha të valutës. Megjithatë, në përgjithësi këto luhatje amortizohen shpejt nga tregu dhe në afate kohore relativisht të shkurtra kursi i këmbimit i kthehet ekuilibrave të mëparshëm.

“Shkundja” që tregu ka marrë nga blerjet e Bankës OTP Albania sidoqoftë e ka lëvizur për momentin tregun valutor dhe ringritur përkohësisht euron sipër 100 lekëve. Forcimi i euros është përcjellë edhe në kursin e valutave të tjera të huaja, që këtë javë janë të gjitha në rritje dhe pranë niveleve më të larta të shënuara për vitin 2025./Monitor.al

euro

Sondazh

Poll